Ditën e sotme Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka miratuar 3 akte nënligjore lidhur me financimin e partive politike që kanë të bëjnë me verifikimin e financimeve, raportet e auditimit dhe për përdorimin e materialeve propagandistike gjatë fushatës zgjedhore.
Në një deklarata para mediave, kryetari i KQZ-së Klement Zguri tha se, të tre aktet i shërbejnë objektivit për rritjen e transparencën financiare të fushatave, duke plotësuar paketën ligjore për financimin e pative politike
“Reforma zgjedhore edhe këtë herë, mesa duket, nuk po shënon dot progres, por KQZ-ja po i adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, brenda hapësirave dhe kompetencave që i njeh ligji.
Ne jemi të bindur, se zgjedhjet që vijnë do shënojnë përmirësim, si përsa i përket financimit, ashtu edhe përsa i përket transparencës financiare, falë këtij kuadri të ri ligjor dhe këtyre akteve që miratuam”, deklaroi Zguri duke folur për Reformën Zgjedhore si dhe performancës që pritet të tregohet në zgjedhjet e ardhshme.
Më tej ai shtoi se në zgjedhjet e ardhshme vendore, nuk do raportojnë vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. “Kjo do të thotë më shumë trasparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim”.
Deklarata e Kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri
Sot, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve miratoi 3 akte nënligjore:
– Një “Për procedurën e kontrollit dhe verifikimit të financimeve dhe shpenzimeve të partive politike dhe fushatës zgjedhore”;
– Një “Për miratimin e formateve të standartizuara të raportit të auditimit të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik, për fushatën zgjedhore dhe raportit të monitorimit të fushatës zgjedhore;
– dhe një “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr.1, datë 31.05.2017 “Për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore”.
Të tre aktet i shërbejnë objektivit për rritjen e transparencën financiare të fushatave, duke plotësuar paketën ligjore për financimin e pative politike. Si të tilla, ato marrin rëndësi të veçantë, sepse përfaqësojnë një copë të mirëfilltë reforme, në një kohë kur politika është pushtuar nga impasi dhe palëvizhmërie. Reforma zgjedhore edhe këtë herë, mesa duket, nuk po shënon dot progres, por KQZ-ja po i adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, brenda hapësirave dhe kompetencave që i njeh ligji.
Ne jemi të bindur, se zgjedhjet që vijnë do shënojnë përmirësim, si përsa i përket financimit, ashtu edhe përsa i përket transparencës financiare, falë këtij kuadri të ri ligjor dhe këtyre akteve që miratuam.
Nga zbatimi i këtyre tre akteve, ne presim më shumë vetëdije, ligjëshmëri dhe përgjegjshmëri nga partitë politike dhe subjektet zgjedhore në veprimtarinë e tyre të raportimit financiar, qasje të standartizuar nga KQZ-së në mbikëqyrje, eficiencë në kontroll dhe monitorim, si dhe angazhim pro aktiv të shoqërisë në monitorimin e ligjzbatimit.
Në zgjedhjet e ardhshme vendore, nuk do raportojnë vetëm partitë politike për financat e fushatës, por edhe kandidatët për kryetarë bashkie. Kjo do të thotë më shumë trasparencë, më pak informalitet, më shumë barazi dhe më shumë ndershmëri në konkurrim.
Të tre aktet u bënë të mundur pas një punë intensive të KQZ-së me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë (NDI, Ambasada Britanike, USAID, Këshilli i Europës) dhe konsultimeve me grupet e interesit.
Puna intensive me ekspertët ndërkombëtarë për analizimin e të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me financimin e partive, studimin e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe identifikimin e metodologjive të cilat mund të përshtaten në vendin tonë, bëri që sot të kemi një kuadër më të plotësuar ligjor për transparencën e financave të partive politike. Konsulta me ekspertët financiarë të partive, shoqërinë civile dhe auditët e licensuar, të cilët bashkëpunuan me ne, sugjerimet dhe opinionet e tyre të çmuara, ndikuan në konsolidimin e akteve të miratuara.
Prandaj unë dua, përmes kësaj deklarate publike, të falenderoj partnerët ndërkombëtar dhe bashkëpunëtorët e fushës për gjithë ndihmën dhe kontributin e çmuar.
Faleminderit!