Kreu republikan Fatmir Mediu në një emision televiziv, duke folur për zgjedhjet në SHBA, të cilat i ka ndjekur në kuadrin e një misioni vëzhgimi, tha se në dhomën e përfaqësuesve kemi një garë që po shkon në favor të Republikanëve.Ai tha se shoqëria amerikane ishte e lodhur nga qeverisja demokrate. “Pati më shumë demagogji lidhur me grupet e caktuara, përfshi edhe latinët, që më shumë u shiheshin për votat, se sa për t’u integruar në shoqërinë amerikane”, tha Mediu.
Kreu republikan renditi disa nga arsyet sepse kandidatja demokrate Kamala Harris humbi zgjedhjet, ndërsa vuri theksin në sulmin që bëhej kundër familjes.
“Harris u fut në lojë duke përjashtuar Joe Biden, nuk kishte vizionin e duhur. Harris dukej se mbështetej nga struktura të tjera, përfshi këtu edhe Obamat, Clintonet, apo VIP-at e Hollyëood”, tha Mediu.
Kreu republikan tha se opozita shqiptare nga kjo fushatë duhet të nxjerrë mësimet e veta. “Një pjesë e gjërave të diskutuara në këtë fushatë rezonojnë edhe me shqiptarët, përfshi këtu edhe situatën ekonomike. Ne duhet t’i bëjmë më të spikatura problemet që ka shoqëria shqiptare”, tha Mediu. Ai kërkoi një intensifikim të raporteve mes opozitës shqiptare dhe administratës amerikane. “Ne duhet të intensifikojmë komunikimet, duhet t’ua bëjmë të qartë se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Mediu.
Ai u shpreh se opozita duhet të flasë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe mund të zgjidhë edhe problemet e tilla, përfshi edhe “non grata-n” për kreun e opozitës. “Ne duhet të paraqesim një platformë të qartë, vetëm kështu mund të na dëgjojnë dhe të zgjidhim edhe problemet që kanë lindur gjatë këtyre viteve”, tha Mediu.