Sot, Federata Shqiptare e Futbollit po zhvillon një mbledhje për një nismë e marrë nga presidenti Armando Duka për çeljen e një akademie arbitrimi. I pari që mori fjalën ishte vetë Duka, i cili i kushtoi një rëndësi mjaft të madhe edhe gjykimit aktual në Shqipëri. Ndër të tjera presidenti theksoi:
“Jemi në fazë delikate të kampionatit dhe e pranoj që arbitrat kanë gabuar. Janë gabime që duhen falur, si të lojtarëve, por ashtu edhe të arbitrave. Duke gjykuar që loja fal gabimin, janë gabime njerëzore, besoj se ka pasur edhe abuzime. Komiteti i arbitrave në Federatë do t’i analizojë me rigorizitet. Dhe asnjëherë nuk do të lejohet që të kalohet nga gabime njerëzore në gabime jo njerëzore. Në asnjë rast nuk do të lejohet që gjyqtarët të vendosin për fatin e ndeshjes. Prandaj duam që në gjenezë të ketë arbitra korrektë, ndaj sot jemi këtu, pasi ata që Komisioni i Arbitrave në FSHF i ka nxjerrë fajtorë nuk do të vazhdojnë të jenë këtu. Dua të them që kampionati ynë deri më tani ka bërë progres të jashtëzakonshëm”, përfundoi Duka./ATSH/