Edhe zgjedhjet të rrezikuara nga fuqia financiare e Don Kanabisit!

1000

(Nga fjala e Koço Kokëdhimës me socialistët në qytetin e Durrësit)

Ndonjë zëdhënës dhe analist i keqkuptuar ose i paguar nga mafia, është përpjekur që të fajësojë propozimet e mia për legalizimin e kanabisit si gjoja shkak për këtë superprodhim ilegal të tij. Ky është një mashtrim i madh. Mafia investon për ta ndaluar edhe debatin për legalizimin. Prodhuesit dhe trafikantët e marijuanës nuk i morën garancitë për të investuar nga diskutimet e mia. I morën nga funksionarët e policisë që u përfshinë në planifikimin, menaxhimin dhe mbrojtjen e këtyre investimeve. Kush nuk bëri marrëveshje me policinë, u godit me ashpërsinë më të madhe.

Përfshirja e të rinjve në përvojat e vështira të konsumit të drogës është me pasoja të rënda për shëndetin, karrierën, mirëqënien dhe cilësinë e jetës së tyre. Shqipëria ka mbajtur në këmbë ligje dhe politika çnjerëzore që kanë çuar në burgje me dënime të rënda shumë të rinj e të reja, përdorues të hashashit dhe nga ana tjetër, kanë lejuar të lulëzojë mafia e marijuanës.

Sot hashashi gjendet kudo. Kush dëshiron ta pijë, nuk e ka të vështirë ta gjejë. Organizatat kriminale e shpërndajnë në çdo lagje, në çdo rrugë dhe në çdo shkollë. Partitë politike bëjnë moralizime dhe nuk kanë alternativa. Ato predikojnë vetëm represionin, i cili deri më sot ka goditur kryesisht përdoruesit dhe fshatarët e varfër. Qeveria nuk ka studime, nuk ka baza të dhënash, nuk ka programe e projekte edukimi, ndërgjegjësimi dhe ndihme për të rinjtë dhe familjet e tyre për ta luftuar përhapjen dhe përdorimin e drogës.

Mafia e drogës ka sot një fuqi financiare të pakrahasueshme dhe është në gjendje të afektojë zgjedhjet, parlamentin, qeverinë, mediat, drejtësinë dhe të gjitha institucinet e tjera të vendit. Edhe zgjedhjet e 18 qershorit janë të rrezikuara nga fuqia financiare e Don Kanabisit!  

Programi i ZGJIDHJE-s për kanabisin është realist, i mundshëm dhe efektiv; është edhe në përputhje me trended kulturore dhe të tregjeve në botën e civilizuar. Shqipërisë i duhet legalizimi i marijuanës për qëllime farmaceutike dhe industriale, dekriminalizimi i përdorimit, kontrolli i plotë dhe absolut i shtetit mbi prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e produkteve dhe nënprodukteve të saj, kontrolli dhe pastrimi i policisë nga çdo person i implikuar. Mafia e hashashit mund ta reduktojë prodhimin për vitin 2017 sepse duhen likujduar stoqet e mëdha të vitit 2016.

Shteti ynë harxhon miliarda lekë në luftën kundër veprave penale që lidhen me kanabisin. Vendet e tjera fitojnë shumë para. Janë me dhjetëra shtete dhe të tjera shtohen çdo vit, që e kanë legalizuar ekonominë e kanabisit. Ne vetëm humbasim. Tek ne fitojnë vetëm trafikantët. Me të drejtë ne e pyesim qeverinë: Përse i harxhon këto para? Kush është përfitimi? Qeveria nuk mund t’i mposhtë më organizatat kriminale të drogës pa këto masa të jashtëzakonshme e komplekse që propozon ZGJIDHJA.

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: