Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën e djathtë dhe të majtë në Shqipëri, se po kryen të akt të pashembullt pabesie historike ndërsa vendi po kërkon hapjen e negociatave me BE. “Thyerja brutale e kësaj pasqyre shpirtërore të një popull të tërë për qëllime që nuk kanë lidhje me interesat e një populli të tërë dhe as interesat e atyre që nuk duan ta shohin me sy PS është një akt i pashembullt pabesie historike ndaj këti vendi. Nuk ka një të dytë” tha zoti Rama në parlament, në prezantimin e rezolutës së Keshillit të Ministrave për hapjen e negociatave.
“Sot kur jemi në metrat e fundit në një rruge të gjatë dhe kur parlamenti ka detyrën të bëjë përpjekjen e vetë për të votuar një rezolutë që nuk është e njëanshme, ndodh ajo që nuk ka ndodhur kurrë. PD bën atë që nuk e ka bërë as vetë ajo kur në të shkuarën e saj ka qenë në opozitë. Ikin nga salla, refuzojnë të votojnë një rezolutë që është një akt vullneti i Parlamentit, për tu bërë me dije të gjithë vendeve të BE se Parlamenti i Shqipërisë në unanimitet kërkon çeljen e negociatave” tha zoti Rama. “Kjo rezolutë nga një shprehje e vullnetit të mirë duke u votuar vetëm nga ne, kthehet në një problem për të bindur vendet, sepse është e njëanshme” shprehu shqetësimin e tij kryeministri shqiptar. “Një forcë e tërë, e organizuar dhe e votuar që sillet si të ishte jo PDSH që lindi me thirrjen e duam Shqipërinë si gjithë Europa, por si të ishte një forcë që për program ka testamentin e Esat Pashës, kjo është e pabesueshme” vlerësoi ai qëndrimin e opozitës.
Duke sjellë shembuj pozitivë nga zhvillimet në Maqedoni dhe Bullgari, zoti Rama tha se “Nuk shkohet në asnjë vend sapo kapërcen kufirin me flamurin e partisë në dorë. Kur kapërcen kufirin ka vetëm një flamur, flamurin e Shqipërisë”.