E moshuara Merita Hajdari, që jeton me mbledhjen e kanoçeve në kosha, por që rezulton milionere e inceneratorëve, ka folur për “BalkanWeb”, duke rrëfyer jetën e saj të vështirë.
Teksa bën thirrje për drejtësi, e moshuara shprehet se prej 13 vitesh është e sëmurë me azmë dhe me alergji, dhe se jeton me mbledhjen e kanoçeve, larjen e pallateve, si dhe seleksionimin e fruta-perimeve.
“Unë jam njeri me hallet e mia, nuk merrem me qeveri, ose të m’i japin këto bizneset, që të jem dhe unë me shtëpi e katandi, të mos punoj dhe unë. Këtë dua unë, të bëhet drejtësi, të mos më nxjerrin në gjithë botën. Kam pas mbledhur edhe kanoçe, tani punoj në këto fruta-perime i seleksionoj, shkoj laj dhe pallatet te deputetët. Bëj punë të zezë, pa licensë, se nuk më merr njeri në punë mua se jam sakate, nuk i komandoj duart, që kur jam djegur. Kam 13 vite me azëm, me alergji dhe me gjak të prishur, kushedi sa herë jam shtruar në spital. Kam qenë dhe me ndihmë ekonomike, merrja 40 mijë lekë, dhe ma hoqën, sepse më thanë që s’më takon, pasi jam invalide. Unë kërkoj drejtësi, kush m’i ka bërë mua këto, kush i ka hedhur në emrin tim ato biznese, që të m’i jap mua, se kam dalë në gjithë publikon, më vjen turp të dalë rrugës. Unë nuk i njoh fare këta persona, që kanë firmosur. Dua drejtësi, se po çmendem nga stresi, nga sikleti”, thekson e moshuara.