Kapen 1.7 ton kanabis në Vlorë, arrestohet 1 person i dyshuar

Aktualitet

Policia e Shtetit ka arritur të arrestojë një person të dyshuar në lidhje me drogën e sekuestruar gjatë ditës së djeshme në qytetin e Vlorës.

Shtetasi Patriot Belulaj dyshohet si një nga poseduesit e 1.7 ton kanabis sativa të gjetura në Gjirin e Karaburunit. Sipas policisë, 56-vjeçari Belulaj është pronar i një stani pranë vendit ku u gjet droga. Dje, rreth orës 12.00, policia, në bashkëpunim me Delta Force dhe Guardia Di Finanza ka arritur të kapë rreth 96 pako me drogë në zonën e Gjirit të Bristanit në Karaburun. Policia ka njoftuar se më vonë janë kapur edhe tetë pako të tjera.

Operacioni i madh për kapjen e kësaj sasie të lëndës narkotike ka filluar pardje, ndërsa për shkak të kushteve të rënda atmosferike është finalizuar vetëm gjatë ditës së djeshme. Sasia e drogës e sekuestruar ishte rreth 1.75 ton lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa. Gjithashtu, po vazhdon kontrolli i terrenit për të kapur edhe personat e tjerë të përfshirë në trafik droge.

/D.Xh/