“Kështu nuk shkohet asgjëkundi”, Rama i dërgon mesazhin e fortë Brukselit për luftën ndaj koronavirusit

Aktualitet

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për median italiane Skynews24, ka treguar arsyet pse qeveria shqiptare vendosi të dërgojë 30 mjekë e infermierë në mbështetje të mjekëve italiane në këtë betejë me koronavirusin, duke theksuar se kjo erdhi natyrshëm.

“Të gjithë e besojmë që Italia është shtëpia jonë e ta shohim që lufton një luftë kaq të aspër e lënë krejt vetëm, ndjehemi keq, e shumë keq“, tha kryeministri.

Sipas tij, gjesti i shqiptarëve “nuk do të ndërrojmë fatin e luftës me 30 mjekë e infermierë por bëmë dicka krejt të natyrshme sepse jemi duke luftuar këtu por të luftosh në Itali për ne është gjithmonë si të luftojmë në shtëpinë tonë”.

Rama i ka dërguar edhe një mesazh Brukselit, kur tha se Europa në këtë betejë duhet ta bejë e bashkuar dhe jo secili ne mbrojtje te forte.

“Dhe nga ana tjetër besoj se kjo është një luftë, qe nuk mund të luftohet duke u mbyllur secili në llogoren e vet me kurrizin e kthyer nga njëri-tjetri, sepse kështu do e humbasim. Armiku i padukshëm na ka sulmuar të gjithëve në të njëjtin moment, duhet që jo vetëm të mbrohemi, por edhe të kundër sulmojmë. Kjo është diçka që mbi të gjitha Europa duhet ta bëjë , sepse ndryshe s’mundet. Dhe atje ka një vatër zjarri tronditëse, që s’mund ta lëmë vetëm Italinë”, thotë Rama.