Koço Kokëdhima : 5 vjet pa Arbën Xhaferin !

1021

“Një popull shndërrohet në komb kur patriotizmi nuk është më çështje individuale, por çështje institucionale”.

Këto fjalë të arta i ka thënë një shqiptar i madh, që gjithë jetën e tij, e shkriu deri në frymë të fundit për shqiptarizmin; Arbën Xhaferi. Si sot pesë vite më parë patrioti, intelektuali, politikani, filozofi dhe publicisti që la gjurmë të forta në historinë e kombit tonë u nda nga jeta fizikisht, por duke na lënë një vepër dhe mesazh të madh përjetësisht.

Zgjidhja” përkujton dhe i përulet në këtë pesëvjetor, veprës së këtij rilindasi të vërtet shqiptar, të kohëve moderne. Që kur ai ishte student u dënua me burg për bindjet e tij politike dhe atdhetare si dhe për organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstratat e Tetovës të vitit 1968. Ai u detyrua që ta vazhdojë veprimtarinë e tij në Prishtinë deri në vitin 1993, kur u kthye në vendlindje për t’iu kushtuar kauzës së shqiptarizmit, në Ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë. 
Ai do të kujtohet si një nga kontribuesit kryesorë për krijimin e universitetit të parë shqiptar në Maqedoni, atë të Tetovës. Arbën Xhaferi është zemra dhe firmëtari i marrëveshjeve të Prizrenit, fillimisht, dhe asaj të Ohrit më 13 gusht të vitit 2001, si finalizim i luftës së shqiptarëve të Maqedonisë për të drejtat e tyre. Për marrëveshjen e Ohrit, ndërkombëtarët u mbështetën në atë kohë te një figurë konstruktive dhe mendjehapur si Arbën Xhaferi. 
Arbën Xhaferi ishte burri që vendoste në çdo rast interesin kombëtar mbi çdo interes partiak e të tjetër lloji. 
Ai, me largpamësi, punoi për mbështetjen, legjitimimin dhe faktorizimin politik të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni. Edhe pse jetoi edhe 11 vite që nga nënshkrimi i asaj marrëveshjeje, ai iku i trishtuar dhe i zemëruar, që politikanët e përçarë shqiptarë në Maqedoni, por edhe në Shqipëri dhe Kosovë, më shumë mendonin për pasurimin individual, sesa për çështjen kombëtare. 
Arbën Xhaferi ishte i neveritur nga kjo klasë politike që drejton në të tre shtet ku ne jetojmë, prandaj edhe u tërhoq nga politika në vitin 2007.
Por ai nuk u dorëzua kurrë, duke folur dhe shkruar deri në ditët e fundit të jetës, për çfarë i takon në të vërtetë kombit shqiptar. Nëse klasa politike aktuale në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni do të lejonte që patriotët dhe intelektualët që mendojnë si Arbën Xhaferi, të jenë në krye të punëve, kombi ynë do të ishte shumë shpejt, përkrah kombeve të zhvilluar.
Më 15 gusht 2012, Shqiptaria humbi një patriot të madh. Shqiptarët e Maqedonisë, të Kosovës, mbarë diasporës, e Shqipërisë, humbën një avokat të madh e të pazëvendësueshëm të të drejtave të tyre, një armik të përbetuar të qëllimeve antishqiptare të qeverive sllave në Ballkan. 
Arbën Xhaferi ishte i pari që paralajmëroi rreziqet e radikalizmit fetar qysh në vitin 2004. 
Si Kryetar i Partisë ZGJIDHJA dhe në emër të gjithë bazës së saj, kujtoj me mirënjohje të thellë veprën e shquar të Arbën Xhaferit, për lejimin e qindramijë shqiptarëve të Kosovës të deportuar nga serbët gjatë luftës që të hynin në Maqedoni e të kalonin përmes saj.
Arbën Xhaferi ishte dizenjues i marrëveshjes për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, avokat besnik i luftës, njohjes dhe legjitimimit të UÇK-së. 
Si mik, kujtoj me mall dhe dhimbje, bisedat e mia me Arbënin, ku lënë mënjanë vështirësitë që sëmundja i shkaktonte, ndante me mua e Brixhidën, vizionin e tij për kombin tonë dhe për të ardhmen e shqiptarisë. Diskutonim të ardhmen e fëmijëve, e se si mund ta bënim më të mirë atë për fëmijët e çdo babai e nëne në trevat shqipfolëse, siç e donim atë për fëmijët tanë. Kujtoj me shumë dashuri takimin e tij të ngrohtë me Besën dhe takimin tonë me vajzën e tij, zonjushë Vlorën.
Si shqiptar, kujtoj në këtë ditë edhe tradhëtitë e politikanëve tanë ndaj interesave të shqiptarëve, gënjeshtrat e tyre, dhunimin e të drejtave tona, shkeljen e krenarisë sonë, aferat me palët kundërshtare, përpjekjet për të sabotuar planet si të Xhaferit, ashtu edhe shumë të tjera pro shqiptare. 
Ka ardhur koha, më shumë se kurrë, të frymëzohemi nga shembulli i Arbënit, të luftojmë të bashkuar për t’i kthyer shqiptarëve, dinjitetin e humbur, për të çuar deri në fund ëndrrat dhe aspiratat e tyre dhe jo për t’i shtrirë dorën atyre që përgjakën trojet tona me gjak shqiptar! 
Sot “Zgjidhja” kujton me përulje dhe mirënjohje të thellë këtë shqiptar të madh, në këtë 5 vjetor të ndarjes së tij nga jeta!
I përjetshëm qoftë kujtimi i Arbën Xhaferit! U prehsh në paqe miku im!




Këtë e pëlqejnë %d blogues: