Kreu i “ZGJIDHJA” akuzon në mënyrë të direkte dy partitë PS dhe PD si shkatërruese të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
“E sigurt është se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë shkatërruar zgjedhjet e lira dhe të ndershme. E sigurt është se po këto dy parti kanë ndërtuar “Republikën e Vjetër” me gjithë të zezat që hoqi dhe që i vuan edhe sot populli shqiptar prej saj. E sigurt është se Basha dështoi në përpjekjet e tij për ta çuar vendin në zgjedhje me standarde në vitin 2017.
E sigurt është edhe se marrëveshja e 18 majit nuk u shërbeu zgjedhjeve të lira, nuk i shërbeu Shqipërisë. Marrëveshja e 18 majit i shërbeu vetëm Rilindjes dhe PD-së. “Republika e Re” u sakrifikua nga Basha qoftë edhe përkohësisht, për interes të PD-së. Pavarësisht kësaj, protesta e opozitës ne na ndihmoi për të ndërgjegjësuar opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar rreth problemeve të rënda që ka Shqipëria, sistemi i saj politik e kushtetues në përgjithësi dhe ai elektoral në veçanti.
Zgjidhja ka qenë plotësisht e qartë dhe me gjykime të kthjellëta. Çfarë ka paralajmëruar Zgjidhja, koha i ka vërtetuar plotësisht. Ajo ka mbajtur qëndrimet më të qarta, konseguente, parimore dhe në përputhje të plotë me interesat e popullit dhe të shtetit shqiptar. Zgjidhja paralajmëroi se zgjedhjet e 18 qershorit nuk mund të bëhen pa opozitën, ashtu siç theksoi se zgjedhjet e 25 qershorit do të bliheshin nga paratë e drogës dhe krimit. Zgjidhja deklaroi se PD-ja dhe Rilindja nuk mund të organizojnë zgjedhje me standarde”, theksoi Kokëdhima në fjalën e tij.