Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Kryetari i KQZ Klemend Zguri ka dalë në një konferencë për mediet, ku ka sqaruar publikun në lidhje me numrin e votave të shpërndara sipas subjekteve politike.
Deklarata e Kryetarit të KQZ-së, z. Klement Zguri.
Sot, në ora 19-00 u mbyll numërimi i kutisë së fundit për zgjedhjet për kuvendin në KZAZ-në, nr. 35, të qytetit të Tiranës. Me rezultatin e kësaj kutie përfundon procesi i numërimit dhe tabulimit të rezultateve në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ky tabulim tregon së në këto zgjedhje në Shqipëri, kanë marrë pjesë në votim 1.613.087 zgjedhës, ose 46,72 % e numrit të përgjithshëm.
Në rang kombëtar rezultati paraprak i zgjedhjeve, i mbërritur në KQZ në rrugë elektronike, përmban këto shifra:
Numri i përgjithshëm i votave të vlefshme ka qenë 1.580.778.
Votat janë ndarë sipas subjekteve elektorale si vijon:
- Partia Socialiste 763.999 vota ose 48,33 % e numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, e kthyer ne 74 mandate;
- Partia Demokratike 455.481 vota ose 28,81%, mandate 43;
- Levizja Socialiste per Integrim 225.678 vota ose 14,28%, mandate 19;
- Partia Drejtesi Integrim dhe Unitet 75.938 vota ose 4.8%, mandate 3;
- Partia Social Demokrate 14.988 vota ose 0,95 %, mandate 1.
Partitë e tjera, të cilat nuk kanë kaluar pragun elektoral kanë marrë në totalin e tyre 44.661 vota, ose 2,8 % të votave të vlefshme.
Tabulimi i rezultatit këtë herë është mbyllur brenda 47 orëve nga momenti i mbylljes së votimit. Kjo përbën arritje për administratën zgjedhore, ndaj unë përfitoj nga ky fakt për të vlerësuar dhe falenderuar përzemërsisht gjithë ushtrinë e komisionerëve dhe numëruesve, që me shumë lodhje e sakrifica bënë të mundur këtë arritje. Jam i sigurtë se të gjithë shqiptarët janë njëzëri vlerësues dhe mirënjohës për këtë sakrificë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me administrimin e mëtejshëm të procesit, sipas hapave dhe procedurave që parashikon Kodi, deri në përfundimin e tij. Por ky moment kulmor kërkon nga KQZ-ja që të shprehet me konstatimet dhe vlerësimet e rastit. Ndaj në emër të KQZ-së dua të shpreh publikisht kënaqësinë e veçantë për mbarëvajtjen e procesit. Incidentet apo vështirësitë në proces, mbetën të izoluara dhe nuk mundën ta njollosin procesin. Institucionet reaguan ndaj tyre dhe, me siguri do të njoftojnë deri në fund të procesit për masat e marra.
Në emër të KQZ-së, dua të shpreh vlerësimin më të lartë për të gjithë zgjedhësit që shprehën vullnetin nëpërmjet votimit. Kultura e tyre demokratike është burim krenarie dhe obligim. Uroj që sjellja e tyre të bëhet model i pashmangshëm i kulturës politike të shoqërisë sonë.
Një vlerësim i posaçëm u shkon të gjithë aktivistëve të zgjedhjeve, komisionerë, numërues, përfaqësues dhe vëzhgues subjektesh, si dhe administratorëve të rendit dhe atyre zgjedhorë, të cilët me punën e tyre i rritën vlerat procesit dhe bënë të mundur respektimin rigoroz të vullnetit të zgjedhësve.
Vëzhguesit vendas dhe ata ndërkombëtarë kanë qenë në këto zgjedhje mbikëqyrësi i mprehtë i procesit. Për ne, ata kanë qenë burim sigurie dhe besimi. Duke i falënderuar për përkushtimin dhe prezencën masive, dua t’i siguroj se gjetjet, konstatimet dhe rekomandimet e tyre do të jenë program pune për KQZ-në, bazë për përmirësimin e performancës në të ardhmen.
Subjektet elektorale ishin aktorët e padiskutueshëm të fushatës dhe menaxhimit të procesit. Nëse këto zgjedhje do të vlerësohen si arritje, atëherë merita e parë u takon atyre. Nëse do të ketë kritika, korrigjimi duhet të nisë nga ata. Nga ana e KQZ-së dua të shpreh vlerësim dhe mirënjohje për bashkëpunimin institucional që mundëm të zhvillonim midis nesh, si dhe t’u uroj suksese në aksionin e tyre të mëtejshëm politik, për një qeverisje të suksesshme, të dobishme dhe rezultative, apo për një opozitë të fortë, parimore dhe konstruktive.
Sot vullneti i shqiptarëve u dokumentua në aktet zyrtare. Sot vullneti i shqiptarëve u bë realitet. Urime subjekteve fituese! Urime kandidatëve të zgjedhur! Suksese Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Shqipërisë.