Kriza e emigrimit, Italia kërcënon dhe kërkon ndihmë

Bota

Numri i emigrantëve në Detin Mesdhe rritet. Italia kërcënon tani me kontrolle më të forta edhe ndaj organizatave të ndihmës, që shpëtojnë njerëzit në Mesdhe. Një thirrje për ndihmë ndaj BE-së?

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM), një agjenci që bashkëpunon me OKB-në, në gjysmën e parë të vitti 2017 kanë ardhur me anije nga Afrika e Veriut në Itali rreth 85.000 migrantë. Numri është në rritje dhe është 19% më i lartë se në gjysmën e parë të një viti më parë. Por sipas IOM ende nuk ka arritur kulmi i sezonit. Kryesisht anijet e vjetra të tejmbushura me refugjatë lundrojnë në periudhën mes qershorit dhe shtatorit, sepse në këtë periudhë deti mes Libisë dhe Italisë është më i qetë. Shansi, për ta përballuar lundrimin dhe për t’u shpëtuar në kushtet e motit të mirë është më i madh. Më shumë se 2000 të vdekur ka regjistruar IOM përgjatë së ashtuquajturës turi i Mesdheut gjatë gjashtëmuajve të parë të këtij viti.

Të gjitha përpjekjet e BE-së për uljen e numrit të migrantëve kanë dështuar. Qëllimi zyrtar i BE-së është që mundësisht ta mbyllë itinerarin e Mesdheut, sikurse u mbyll edhe itinerari mes Turqisë e Greqisë. Në zonën detare para brigjeve të Libisë qarkullon flota e mbrojtjes kufitare të BE-së, që shpëton migrantë, por që ka për synim edhe të stepë kontrabandistët. Bashkëpunimi me truprojën detare të Libisë është i çalë, vë në dukje Komisioni i BE-së. Mungojnë anijet dhe partnerët konkretë të komunikimit nga pala libiane.

Gati gjysma e refugjatëve të shpëtuar janë mbledhur jo prej anijeve të BE-së, por nga dhjetë anije të organizatave private të ndihmës. Frontex-i, autoriteti i mbrojtjes kufitare të BE-së, dhe Italia u patën kërkua ndihmë para dy vjetësh organizatave jo qeveritare. Ndërsa tani shefi i Frontex-it, Fabrice Leggeri, dhe politikanët italianë akuzojnë ndihmësit vullnetarë, se po asistojnë kontrabanditstët dhe po i inkurajojnë migrantët të vijnë edhe më shumë duke marrë në sy riskun e lundrimit përmes Mesdheut. Madje në Sicili prokuroria po heton ndaj ndihmësve të veçantë nën dyshimin se ata janë kolaboratorë të kontrabandistëve në brigjet e Libisë. Edhe në Maltë ka pasur hetime të ngjashme.

Italia vendos rregulla të reja

Qeveria italiane tani do ta kontrollojë më fort punën e organizatave të ndihmës dhe po përgatit rregulla të reja. Misionet e Frontex-it dhe të anijeve të OJQ-ve deri tani koordinoheshin nga marina italiane. Kjo i akuzon dnihmës të veçantë, se i nxjerrin me paramendim nga funksioni transmetuesit në anijet e tyre. Këto aparatura japin automatikisht sinjalin mbi pozicionin e anijes. Pa transmetues anijet, sipas këtyre akuzave, ndihmësit shkojnë në ujrat territoriale të Libisë për të marrë që andej refugjatët nga gomonet. E kësisoj, dyshohet, që ndihmësit mund të jenë në kontakt me kontrabandistët.Këto akuza i ngre zëdhënësi i truprojës detare të Libisë, Ayyoub Qasem. “Ata nuk duan t’ia dinë që ndodhen në ujrat territoriale të Libisë”, ankohet Qasem.

OJQ-të nuk i pranojnë akuzat

Zëdhënësja e Organizatës SOS Mediterranee, Jana Ciernioch në bisedë për DË i hodhi poshtë akuza të tilla. Ajo tha, se organizata e saj i përmbush të gjitha kriteret e përcaktuara në kodin e veprimit të anijeve të shpëtimit. Anijet e organizatës, thekson ajo janë të detyruara me ligj, që t’i mbajnë aktivë transportuesit. Ekipazhet regjistrohen üpas ankorimit në porte. Akuzat, sipas të cilave vullentarët bashkëpunojnë me kontrabandistët nuk kanë bazë, thekson Jana Ciernioch nga SOS Mediterranee. Por përmes rregullave të reja Italia tani do t’i detyrojë anijet e shpëtimit, që t’i mbajnë gjithmonë aktivë transmetuesit, të regjistrojnë ekipazhin dhe të informojnë qendrën e vrojtimit të marinës, përpara se të nisin aksionin e shpëtimit.

Italia mund të mbyllë portet

Italia kërcënon, që në të ardhmen nuk do t’i lejojnë të ankorohen anijet e OJQ-ve me refugjatë në bord. “Nëse të vetmet porte që pranojnë emigrantë ndodhen në Itali, atëherë në Europë diçka nuk shkon”, është shprehur në fundjavë ministri i Brendshëm italian Marco Minniti. Po ashtu marina italiane mund të refuzojë që të t’i marrë refugjatët nga anijet e OJQ-ve. Ky veprim do ta kufizonte ndjeshëm aktivitetin e këtyre anijeve. Ministrat e brendshëm të Gjermanisë dhe Francës i kanë premtuar më shumë mbështetje Italisë. Në një takim jashtë radhës në fundjavë ministrat e brendshëm të BE-së duan të vendosin për miratimin e rregullave të reja nga Italia. Problemi në BE qendron, se pas një debati mëse dy vjeçar ka dështuar përpjekja për gjetjen e një modusi për shpërndarjen e refugjatëve në vendet e BE-së. /D.W/

/D.Xh/