Nga YLLI PATA /
Të premten, dy palët kryesore në Kuvend: PS-ja dhe PD e Sali Berishës paraqesin propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në një prononcim paraprak të bërë të ditur dy ditë më parë edhe nga kreu i grupit parlamentar socialist, Blendi Çuçi.
Megjithatë, në atë që deklaroi Oerd Bylykbashi, bëhet e ditur se do të votojnë ata qytetarë që janë jashtë për arsye shtetërore si diplomatë, ushtarakë etj, duke përmendur jo me qartësi të gjithë ata që jetojnë e punojnë jo nga shteti shqiptar, në vendet e ndryshme të botës.
Sot, ndërkohë që Shqipëria ka hapur negociatat me BE dhe pret për tu bërë anëtare, zbatimi i standardeve europiane është A-ja e funksionimit të shtetit.
E drejta e votës, është themeli i të gjitha të drejtave politike. Sot çdo qytetar i vendeve të BE-së që jeton jashtë shtetit të tij ka të drejtë të votojë. Disa vende përdorin votimin elektronik, disa votimin me postë, e disa të tjerë votën në selitë diplomatike.
Në Shqipëri jetojnë, madje janë persona publikë, mjaft qytetarë që kanë shtetësi amerikane, por që shumicën e kohës punojnë e jetojnë këtu. Një pjesë e madhe prej tyre, çdo votim presidencial, apo për Kongresin, publikojnë në rrjetet sociale votën e tyre, ose nëpërmjet postës, ose elektronikisht.
Në SHBA ka një rregull të vjetër, i cili është mjaft interesant edhe për tu zbatuar në Shqipëri. Çdo qytetar që është shtetas amerikan, nuk voton automatikisht. Ai duhet të marrë teserën e votuesit, pra të regjistrohet sipas procedurave ligjore që i ka shteti, të cilit ai i përket. Në SHBA, shtetet e ndryshme kanë edhe rregulla të veçanta proceduriale.
Kjo përvojë mund të aplikohej edhe për qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë në zgjedhjet tona. Ku në bazë të listës paraprake që ai është regjistruar këtu, mund të bëjë një regjistrim të dytë që të futet në forcë si votues, e më pas të votojë. Kështu, edhe përpara ditës së zgjedhjeve, do të ketë një statistikë më të qartë të të gjithë atyre shtetasve që janë regjistruar nga diaspora.
Megjithatë këto janë aspekte teknike të një procesi, që nëse ka vullnet politik, do të zgjidhej pa asnjë problem. Por duket se problemi në radhë të parë është politik. Në çdo rast, do të ishte opozita nxitësja e një procesi, që do të rriste praktikisht bazën e votuesve për zgjedhjet parlamentare. E ku numri i rritur i zgjedhësve aktivë, mund të prishë ekuilibrin tashmë monoton të llogaritjes së votave në qarqe të caktuara. Deri më sot opozita nuk e ka pranuar procesin, pasi ka nxjerrë sebepin e manipulimeve. Kur në realitet është edhe ajo pjesë e bashkëdrejtimit të administrimit të zgjedhjeve, e mund ta ndjekë procesin hap pas hapi.
Dhe duket se kjo ndodh jo për një paragjykim momental, por është më shumë një llogaritje e përafërt. Pasi partitë e mëdha, me anë të strukturave të tyre, e dinë mirë si qëndrojnë pak a shumë ekulibrat e votës së emigrantëve në vende të caktuara.
Edi Rama mbajti dy takime me emigrantët në Greqi dhe në Itali, takime për të cilat pati një polarizim të madh.
Pasi opozita i quajti ata si të organizuar me administratë, ndërsa mazhoranca tha se ishin të hapura për këdo që donte të merrte pjesë. E si në Athinë, ashtu edhe në Lombardi, pjesëmarrja dhe entuziazmi ka qenë i madh. Edi Rama, ka shtyrë takimet në Britaninë e Madhe e në Gjermani, ku gjithashtu ndodhet një pjesë e madhe e shqiptarëve.
Duket se plani është për tu mbajtur në shtator, pak muaj pas kongresit zgjedhor të Partisë Socialiste që mbahet në fund të kësaj jave.
Pikërisht atëherë, pra pas shtatorit nëse diçka ndryshon në kodin zgjedhor, do të shikohet se ku po shkon ekuilibri i ri i votave, e sa ndikon ai qark në qark. Ekuilibër që mund ta ndryshojë totalisht hartën aktuale politike të vendosur që nga 2008-a, e ku motorri i ndryshimit kanë qenë qarqet e mëdha si Tirana e Durrësi.