Seanca plenare e ditës së sotme do të jetë e fundit për këtë legjislaturë. Sot, Kuvendi do të mbyllë punimet e Legjislaturës së VII-të, që shënon shpërndarjen e Parlamentit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë bëhet e ditur që në rendin e ditës së sotme pritet miratimi i projektligjit “Për peshkimin”, “Për zonat e mbrojtura”, si dhe ratifikimi i dy marrëveshjeve me palën gjermane për projekte të ndryshme në infrastrukturë.
Kjo seancë e fundit e Kuvendit do të mbyllet pa praninë e opozitës. Kjo e fundit që prej më shumë se dy muajsh proteston për formimin e një qeverie teknike me qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Ndërsa një ditë më parë, kreu i qeverisë Edi Rama dhe ai i opozitës Lulzim Basha dështuan të gjejnë një marrëveshje gjatë takimit në Presidencë, takim i ndërmjetësuar nga presidenti Bujar Nishani.