Rritja e kostos, subvencion për vjedhësit
Guximi i Bashkisë së Tiranës që premton 24 orë ujë të pijshëm për kryeqytetin, ndonëse në këto kohë moderne duket grotesk, në një vend si Shqipëria ku për ujin janë thurur legjenda, është një ambicie që duhet vlerësuar me seriozitet të plotë.
Por opinioni i bashkisë së kryeqytetit për të zgjidhur këtë çështje përmes rritjes së çmimit për konsumatorët mbi 40 për qind, ka nxehur më shumë se vapa, atmosferën sociale. Bashkia mendon se do t’i freskojë e zbusë temperaturat e pakënaqësisë, pas pesë vjetësh kur të garantojë furnizim pa ndërprerje. Ajo thotë se duhen rreth 220 milionë euro investime për të realizuar këtë projekt, por nuk thotë asgjë se nga ka ardhur te ky rezultat, nga ka dalë kjo shumë dhe si do të përdoret sipas zërave, sepse qytetarët kanë nevojë të dinë se si janë përdorur dhe do të përdoren paratë e tyre.
Bashkia thotë se ujësjellësi ka një fitim vjetor prej 5 milionë eurosh, por ai nuk është i aftë të marrë kredi si shoqëri anonime për të realizuar këtë investim, pa ia ngarkuar qytetarit përmes rritjes së çmimit. Bashkia thotë se humbjet në rrjetin hidrik janë rreth 65 për qind, por nuk ka treguar asnjë plan se si t’i reduktojë ato dhe si dhe sa kjo masë ndikon pozitivisht duke i rritur financat e ujësjellësit. Ka dhe shumë pyetje dhe disa punë të tjera për të bërë më parë bashkia përpara se të shkojë te vendimi për rritjen e çmimit dhe që duhet t’u përgjigjet qytetarëve.
Ne mendojmë se uji është një pasuri po aq strategjike dhe jetike sa dhe energjia, ndaj edhe qasja ndaj problemit duhet të jetë po kaq strategjike. Nga ana tjetër, kriza e furnizimit me ujë në Shqipëri ngjan si dy pika uji me krizën energjetike që ka pasur dhe që ende nuk është zgjidhur në mënyrë të plotë, sepse arsyet mbeten të njëjta.
Kriza energjetike është ricikluar në Shqipëri për këto shkaqe:
-burime të pamjaftueshme hidrike dhe mungesë investimesh për to
-rrjet të amortizuar transmetimi dhe shpërndarjeje
-vjedhje dhe mosarkëtime mjaft të larta
-kërkesë më të lartë në rritje kundrejt ofertës.
Edhe kriza e ujit është për të njëjtat arsye. Historia deri në kufijtë e tragjikes me sektorin e energjisë, fatmirësisht mund t’i ndihmojë vendimmarrësit të orientohen drejt zgjidhjes së problemit. Por në asnjë rast çmimi nuk ka qenë zgjidhja finale, se ashtu si tek energjia, rritja e tij ka dënuar shtresat më të varfra të popullatës, nuk ka ulur humbjet dhe në fakt, ka qenë subvencion për vjedhjen. Duke e ditur mirë se çfarë ndodhi me energjinë, tani e dimë mirë se çfarë do të ndodhë me ujin: rritja e çmimit nuk është zgjidhja, por është vetëm një kamerdare ndihme për ata që qeverisin dhe keqmenaxhojnë, sepse burimi i problemit është pikërisht keqmenaxhimi.
Po pse shkruajmë vetëm për Tiranën, përveç Korçës, të gjitha qytetet e tjera janë në krizë me ujin e pijshëm. Për Tiranën ia vlen të ndalesh jo vetëm se është kryeqyteti e këtu pinë ujë si qytetari më periferik edhe kreu më i lartë i shtetit, por edhe se është kampioni më përfaqësues i problemit, për shkak të faktorëve shoqërorë, socialë dhe ekonomikë që ajo ka. Ndaj zgjidhja e Tiranës është zgjidhja për gjithë Shqipërinë.
Por zgjidhja përmes çmimit mund të përkëdhelë sedrën e bashkisë për të zhdukur një legjendë, por kurrsesi nuk mund ta kthejë çmimin e rritur në një mit dhe as në dorë të disa këshilltarëve bashkiakë që luhaten mes lojërave politike apo të kapur nga përftimet e vogla individuale. Por qëndron te qeverisja më e mirë në nivelin më të lartë të saj. /MONITOR .al/