Luan Rama: Grabitja në Rinas, të mblidhet Këshilli i Sigurisë

Politika

luan rama ne focus news-2Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama thotë se do të kërkojë  të mblidhet Komisioni Parlamentar i Sigurisë në lidhje me grabitjen në aeroportin e Rinasit një ditë më parë (30 qershor 2016).

Deputeti thotë se grabitja ndodhi në një kohë kur një ditë më përpara Ministria e Brendshme lajmëroi masat shtesë të sigurisë. Ai tha se presidenti duhet të mbledhë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pasi sipas tij, ngjarja është shumë e rëndë.

RamaNgjarja në Aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Rinas është dëshmia e mungesës së angazhimit dhe seriozitetit në përmbushje të detyrimeve kushtetuese për garantimin e rendit dhe të sigurisë kombëtare. Nuk arrij të kuptoj se çfarë tjetër duhej të ndodhte më shumë se grabitja në mes të ditës në pistën e aeroportit që të tundet shteti e të vihen përpara përgjegjësisë të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare, të cilat janë sfiduar për të disatën herë në këtë mënyrë.

Por ngjarja e djeshme është padyshim më e rënda se ndodh në një kohë kur Ministria e Brendshme flet për masa shtesë të sigurisë në të vetmin aeroport ndërkombëtar që kemi, menjëherë pas tragjedisë që ndodhi pas sulmit terrorist në Aeroportin e Stambollit. Cilat janë masat shtesë që banditët të hynin, të bënin çfarë deshën e të dilnin qetë-qetë sikur po dilnin nga një kafene rruge? Është e pafalshme, është e patolerueshme!

Më tej, z. Rama theksoi se Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, Shërbimi Informativ, Prokuroria dhe çdo institucion që ka detyrime ndaj sigurisë kombëtare duhet të mbajnë përgjegjësi dhe duhet të bashkëpunojnë për zbardhjen e ngjarjes.

RamaNgjarje të tilla nuk mund të mbulohen me statistika që si hyjnë në punë askujt dhe as me gërdufje nëpër konferenca shtypi! Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, Shërbimi Informativ, Prokuroria e gjithkush tjetër që ka detyrime ndaj sigurisë kombëtare duhet të mbajnë përgjegjësi, duhet të bashkëpunojnë e t’i lënë karshillëqet e lojërat e fjalëve me njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimin jo vetëm të atyre që vodhën, por edhe të atyre që me veprimin apo mosveprimin e tyre morën masat shtesë të sigurisë për t’ua bërë më të lehtë banditëve, që për masat shtesë të sigurisë mund të merrnin edhe avionin e të bënin çfarë të donin me të!

Në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti Luan kërkoi që të mblidhet menjëherë Komisioni i Sigurisë dhe të marrë në analizë këtë ngjarje të rëndë që ndodhi në aeroportin e Rinasit.

RamaPërgjegjësitë e kompanisë private të sigurisë së aeroportit nuk mund të shërbejnë si alibi për të shmangur përgjegjësinë e institucioneve shtetërore që kanë detyrimin kushtetues të garantojnë rendin dhe sigurinë kombëtare! Kryeministri duhet të nxjerrë përgjegjësinë e institucioneve shtetërore, pasi është në tagrin e tij koordinimi dhe bashkëveprimi i tyre. Në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare do të kërkojë që sot të mblidhet menjëherë Komisioni i Sigurisë dhe të marrë në analizë këtë ngjarje të rëndë që ndodhi në aeroportin e Rinasit, në pistën e aeroportit të një vendi anëtar të NATO-s, por një herësh i kërkoj edhe Presidentit të Republikës të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare posaçërisht për këtë ngjarje, të rëndë, të shëmtuar e të patolerueshme.