Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama në një deklaratë për median nga selia e partisë, tha se marrëveshja PS-LSI ka qenë parimore, programore dhe jo për tespi dhe timon. Zoti Rama tha se LSI, nuk është bërë pengesë për asnjë reformë të qeverisë. Zoti Rama tha se kërkonte nga kryeministri të ulej ballëpërballë për të nxjerrë përgjegjësitë, ndërsa i quajti deklaratat e këtij të fundit lidhur me marrëdhëniet në koalicionin PS-LSI si një hipokrizi. “Le të thotë një rast të vetëm kur është kushtëzuar vota në parlament me pazare tepsie apo pazare timoni” tha ai duke shtuar se çdo deklaratë e tillë është gënjeshtër.
Deklaratat e nënkryetarit të LSI erdhën pasi zoti Rama ka deklaruar dendur ditët e fundit se kërkon votën e zgjedhësve shqiptarë për të mbajtur ai timonin e shtetit. Kreu i PS tha se partitë e koalicionit duhet të bashkojnë programet dhe jo të ndajnë pushtetin. Zoti Luan Rama shkoi më tej kur tha se LSI do ta ndihmonte kryeministri Rama të mos jetë më kryeministër pas 25 qershorit.