Lufta e “Dytë e Ftohtë”, apo konflikti Botëror i radhës?!

1319

lufta e ftohte

Azem PARLLAKU Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit kanë eskaluar për shkak të bombardimeve pa dallim të Moskës ndaj civilëve të Aleppo-s. Presidenti Putin dërgoi një flotë prej tetë luftanije ruse nëpërmjet kanalit anglez për të ndihmuar sulmin mbi qytetin e rrethuar sirian.

Shumica e qytetarëve po besojnë se konfliktit mbarëbotëror të radhës nuk i “shmangemi” dot. Më herët autoritetet ruse kanë thënë se, takimi i 20 prillit i Këshillit NATO-Rusi “nuk ka lënë vend për optimizëm” lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Kremlinit me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

NATO unanimisht kishte shtyrë bashkëpunimin praktik me Rusinë në prill të vitit 2014, si përgjigje ndaj intervenimit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, dhe aneksimit të jashtëligjshëm të Krimesë.

Shumë nga ata që kërkojnë një marrëdhënie më shumë funksionale SHBA-Rusi si nga Uashingtoni ashtu edhe Moska kanë shpresuar se bashkëpunimi për stabilizimin e Sirisë dhe luftimin e të ashtuquajturit Shtet Islamik, mund të ofrojë një mundësi të re të rëndësishme për të stabilizuar raportet mes dy vendeve. Mjerisht, kjo ka të ngjarë të jetë shumë më e vështirë sesa mund të presim. Dhe madje edhe optimistët e pranojnë, se rindërtimi i marrëdhënieve së SHBA-Rusi, do të jetë mjaft sfidues. Pikëpamja se duke punuar së bashku në Siri, mund të ndihmojë diku tjetër, vjen nga të menduarit në mënyrë tradicionale rreth diplomacisë ndërkombëtare. Nga ky këndvështrim, suksesi në zbatimin e pjesshëm dhe paraprak të “ndërprerjes së armiqësive” në Siri, mund të ndihmojë në rivendosjes e komunikimit, dhe madje edhe të një shkalle besimi të ndërsjellë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, për të lehtësuar përpjekjet për trajtimin e problemeve më të mëdha, duke përfshirë dallimet e mprehta mbi Ukrainën.

Shefi i ushtrisë amerikane Gjenerali Mark Milley, para disa ditësh ka  paralajmruar, që SHBA-të janë të gatshme të shkatërrojnë armiqtë e tyre, përmes disa komenteve të cilat ishin drejtuar qartë ndaj Rusisë.

“Dua të jem i qartë për ata qe dëshirojnë të na shkaktojnë dëme, ushtria e Shteteve të Bashkuara pavarësisht sfidave që kemi, pavarësisht tempos tonë operacionale dhe gjithë asaj që jemi duke bërë do t’ju ndalojmë dhe do t’ju mundim rëndë, ashtu siç nuk keni qenë të mundur më herët. Mos bëni gabime rreth kësaj” ka deklaruar Milley.

Për më tepër Milley ka thënë që konflikti i radhës do te jetë eksperienca më vdekjeprurëse që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe do të përfshijë luftime në zona urbane të populluara. Milley bëri të qartë qe po fliste për Rusinë, përderisa citoi një zyrtarë të lartë rus i cili kishte thënë “Rusia mund të hyj në luftë konvencionale në Evropë dhe ta fitoj atë”

Në të njëjtën kohë, disa besojnë se një sukses në Siri, do të dëshmojë se të dyja vendet mund të punojnë së bashku për të trajtuar problemet serioze ndërkombëtare, pavarësisht dallimeve të tyre të tjera. Kjo pikëpamje e fundit, ndoshta është mbajtur më gjerësisht në mesin e elitës së politikës jashtme të Moskës, ku angazhimi me Shtetet e Bashkuara besohet se çertifikon aspiratat ruse për një rol të njohur ndërkombëtarisht si një fuqi e madhe. Duke njohur asimetritë ekonomike dhe ushtarake midis Amerikës dhe Rusisë, elitat në Uashington  deri më tani nuk janë të joshura në mënyrë të ngjashme. Është e dukshme se pak ekspertët amerikanë të fokusuar tek armët bërthamore ndoshta fusha e simetrisë dhe e pasojave më të mëdha ka qenë ndër më të motivuarit për t’u angazhuar me Moskën. E meta e qasjes ‘suksesi- prodhon- sukses’, është se ajo injoron realitetet politike në mesin e elitave në të dyja vendet. Shkurtimisht, një sukses fillestar nuk ka gjasa t’u ndihë sukseseve të ardhshme në rast se ajo është është e diskutueshme në vetvete. Që një sukses të jetë i tillë, kërkon jo vetëm nga dy qeveritë, por edhe elitat e tyre përkatëse politike, që ta shohin atë si të tillë. Në këtë rast, ngjashëm me shpresat aktuale rreth konsensit mbi Sirinë, ata që ndoqën qasjen ‘suksesi-prodhon-sukses’ gjendeshin kryesisht në Moskë në vend se në Uashington, ku skepticizmi i thellë në lidhje me marrëdhëniet SHBA-Rusi mbretëron që nga koha e ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë. Duke parë këtë vlen të kthehemi pas në vitet ‘90, kur administrata Klinton sdetyroi një Rusi të dobët të pranojë në heshtje zgjerimin e NATO-s dhe  ndërhyrjet e NATO-s në ish-Jugosllavi. Këto lëvizje riorientuan në mënyrë dramatike këndvështrimin e elitës politike ruse (dhe atë publike) ndaj Shteteve të Bashkuara dhe qëllimeve të saj të politikës së jashtme, duke krijuar një bazë të gjerë mbështetje të brendshme që gëzon sot presidenti rus Vladimir Putin. Pavarësisht nga përpjekjet e Sekretarit të Shtetit Xhon Kerri dhe ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, marrëdhënia SHBA-Rusi nuk do të përmirësohet në asnjë mënyrë të qëndrueshme, pa mbështetjen e gjerë në mesin e elitave në të dyja vendet. Në praktikë, kjo kërkon edhe një përpjekje të konsiderueshme për të shpjeguar se pse kjo i shërben interesave amerikane (në Uashington) dhe interesave ruse (në Moskë) – diçka që administrata në largim e presidentit Obama ndoshta s’mund ta bëjë me sukses edhe në rast se do të donte – dhe një përpjekje të konsiderueshme nga secili për t’u angazhuar në mënyrë më efektive me skeptikët e vendit tjetër. Kur punon me grupet joqeveritare në Rusi, Shtetet e Bashkuara përqendrohen së tepërmi tek besueshmëria e opozitës pro-amerikane, e cila nuk është një forcë me ndikim në politikën bashkëkohore ruse, dhe nuk ka gjasa të bëhet e tillë së shpejti. Nga ana e saj, qeveria ruse ka bërë shumë pak për të punuar me partinë opozitare në Shtetet e Bashkuara.

Një marrëdhënie jofunksionale SHBA-Rusi, ka një kosto të lartë si për objektivat amerikane edhe ato ruse të politikës së jashtme, dhe në fakt edhe për sigurinë nga përhapja e armëve bërthamore, terrorizmi, tek stabiliteti rajonal në Evropë dhe Lindjen e Mesme, ku kostoja ka qenë më e dukshme. Megjithatë, qëkur parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësojnë madhësinë nominale të ekonomisë amerikane si mbi 14 herë më të mëdha se sa ajo e Rusisë në vitin 2015, dhe shpenzimet e mbrojtjes së SHBA-së mbi 10 herë më të larta, shumica e amerikanëve besojnë se një marrëdhënie funksionale me Shtetet e Bashkuara është ndoshta shumë më tepër e rëndësishme për Rusinë se sa e kundërta. Pavarësisht nëse është e vërtetë apo, kjo ndjenjë ka një ndikim të fuqishëm në debatet publike dhe vendimmarrëse në Uashington. Si rezultat i kësaj, çdo gjë që mund të ndodhë në Siri, shanset që ajo të shndërrohet në një themel të ri për marrëdhëniet SHBA-Rusi janë të pakta, nëse Moska nuk rishikon prioritetet e saj. Kushdo në Uashington që dëshiron të ndihmojë këtë proces, apo thjesht të shmangë një konfrontim të rrezikshëm afatgjatë me Rusinë, do të bënte mirë të merrte në konsideratë se si Shtetet e Bashkuara mund t’i shpjegojë Moskës se një rivaliteti i përshkallëzuar me Amerikën, mund të prodhojë pikërisht rreziqet ndaj sigurisë ruse që qeveria e Putinit kërkon të shmangë, ndërsa njëkohësisht të sigurojë Kremlinin se Amerika nuk përbën një kërcënim ekzistencial për Rusinë apo elitat e saj. Angazhimi i shtuar ushtarak i Rusisë në kufijtë e Europës i ka detyruar NATO-n dhe shtetet më të rëndësishëm të Perëndimit të tregojnë se zotërojnë aftësi për t’u përballur me Vladimir Putinin. Në përpjekjen më të madhe prej Luftës së Ftohtë, NATO dhe Rusia nuk po ngurojnë të shpalosin arsenalin që zotërojnë.

Britania e Madhe pritet të vendosë trupa, tanke dhe avionë në Estoni për t’i bërë ballë një agresioni të mundshëm rus, ndërsa forcat britanike dhe ato rumune do t’i bashkohen një batalioni amerikan në Poloni. Kjo vlerësohet të jetë zhvendosja më e madhe ushtarake në Europën Lindore prej Luftës së Ftohtë, ndërsa aviacioni britanik është angazhuar për herë të parë edhe në patrullimin e hapësirës ajrore të Rumanisë. Të gjitha lëvizjet, sipas shtypit ndërkombëtar, synojnë të frenojnë Moskën nga rimarrja e vendeve që dikur kanë qenë satelite të saj, ashtu siç u veprua në Krime dhe Ukrainë. Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara se vendet europiane do të arrijnë të ndërtojnë 4 grupe luftimi me rreth 4 mijë trupa, si pjesë e reagimit të NATO-s ndaj Rusisë. Më shumë trupa do të dërgohen në vendet balltike dhe në lindje të Polonisë në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo do të mbështetet nga forca e reagimit të shpejtë të NATO-s, që numëron 40 mijë trupa.

Franca, Danimarka, Italia dhe aleatë të tjerë pritet t’u bashkohen 4 grupeve të luftimit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe dhe Kanadaja për t’u vendosur në Poloni, Lituani, Estoni dhe Letoni, me forca do të jenë të përbëra, duke nisur nga këmbësoria, deri te dronët.

Së fundmi, Rusia zbuloi disa foto të raketës më të madhe bërthamore “Satan 2”, që vlerësohet se është e aftë të shkatërrojë një vend me sipërfaqe sa Franca. Gjithashtu dje u njoftua se Putin ka lëshuar një raketa balistike “RS-18”, që mendohet të jetë pjesë e një testi për t’u përballuar me sistemin mbrojtës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë sot, rreth 130 qendra ushtarake në Rusi dhe 6 vende kufitare me të janë vendosur në gatishmëri të lartë, si provë për të testuar aftësinë e rajonit për të përballuar një sulm nga Perëndimi. Nuk kanë munguar edhe testet kundër një sulmi bërthamor. Disa vende të NATO-s, përfshirë Estoninë, janë të frikësuar se ato mund të jenë në listën e ardhshme të goditjeve të presidentit rus, Vladimir Putin. Për këtë arsye, bazuar edhe në Traktin e Aleancës, vendet më të mëdha kanë detyrim për t’i mbrojtur. Rreth 800 trupa britanike do të vendosen në Estoni gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa do të ketë angazhim edhe nga shtete të tjerë të NATO-s”, kështu kanë raportuar orët e fundit të gjitha mediat.

Përplasjet NATO-Rusi tashmë janë të hapura. Vetë Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut Verior, Jens Stoltenberg, e ka pranuar se ka pasur replika serioze e pa doreza, qe e përkthyer nga gjuha e diplomatëve do të thotë: edhe pak dhe do të përdornim grushtat. “NATO-ja dhe Rusia kanë mosmarrëveshje të rënda e të vazhdueshme mes tyre dhe takimi i fundit nuk e ndryshoi dot këtë situatë. Aleatët e NATO-s mbeten të palëkundur në qëndrimin e tyre se do të ketë rikthim të bashkëpunimit praktik nëse Rusia vazhdon të mos respektojë ligjin ndërkombëtar. Mundësinë e komunikimit ne do ta mbajmë sidoqoftë të hapur”, ka thënë Stoltenberg. Provokimet e fundit të avionëve luftarakë rusë kundrejt atyre të aleancës dhe anijeve në detrat veriorë europianë i kanë shtyrë shumë në perëndim të mendojnë se Vladimir Putin e ka pasion lojën me zjarrin. Diplomatët janë të mendimit se mbajtja gjallë e Këshillit NATO-Rusi është diçka pozitive, por NATO-ja sipas tyre nuk duhet të lejojë që të manipulohet pafundësisht.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se do të zbarkojë edhe dy divizione të reja në perëndim dhe një në jug, siç thuhet, për të vënë një balancë në raport me rritjen e pranisë ushtarake të NATO-s afër kufijve rusë. Edhe më herët ishte raportuar në mediat ruse se janë disa divizione të reja ushtarake, prej 1 mijë trupash, të cilat do të zbarkohen në regjionin e Rostov-on-Don’it, Smolenskit dhe Voronezhit. NATO-ja në mënyrë të vazhdueshme ka shtuar praninë ushtarake në Poloni, në shtetet baltike dhe në lokacione tjera rreth kufijve rusë që nga viti 2014.

Aleanca veprimin e ka arsyetuar me nevojën për të rritur sigurinë në Evropën Jugore për shkak të “agresionit rus”.

Në takimin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, që sapo u zhvillua në Bruksel, ministrat trajtuan dhe morën vendime mbi forcimin e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Në veçanti, ministrat diskutuan mbi frenimin e rreziqeve dhe mbrojtjen (Deterrence and Defense) Në këtë pikë, vendet aleate shqyrtuan implementimin e vendimeve të Samitit të Varshavës, në veçanti mbi vendosjen e katër grup-batalioneve në vendet baltike dhe në Poloni. Për këtë qëllim, aleatët deklaruan kontributet e tyre për pjesëmarrje me forca ushtarake.

Në ndërhyrjen e saj mbi këto çështje edhe Shqipëria mbetet e angazhuar të materializojë vendimet e marra në Samitin e Varshavës, për një mbrojtje moderne dhe efikase të NATO-s. Në këtë drejtim, ka theksuar Kodheli; “Shqipëria ka identifikuar kapacitete në dispozicion të saj dhe pritet t’i bashkëngjitet me personel ushtarak grup-batalionit të udhëhequr nga Kanadaja, në Letoni. Vendi ynë do të vijojë bashkëpunimin me vendet pjesëmarrëse në këtë forcë (në veçanti me Kanadanë dhe Letoninë si vende udhëheqëse dhe pritëse respektivisht), për të specifikuar detajet dhe elementët kryesorë të kontributit tonë. Shqipëria do të vijojë të luajë një rol aktiv në Aleancë duke mbështetur kontributet në kuadër të Planit të Veprimit të Gatishmërisë, ku spikat një kompani e deklaruar për periudhën 2016-2018 në Task-Forcën e Përbashkët të Reagimit Shumë të Shpejtë të NATO-s (VJTF). Në këtë kuadër, ky vit shënon pjesëmarrjen më të madhe të Forcave tona të Armatosura në stërvitjet dhe trajnimet e Aleancës”. Përpos çështjeve të sigurisë, Rusia është e shqetësuar edhe nga prezenca e NATO-s në rajonin e Kaukazit dhe në detin e Zi për shkak se këto rajone janë shumë të rëndësishme për transferimin e energjisë se vendeve të detit Kaspik drejt Evropës.

Kancelarja gjermane Angela Merkel i qëndron idesë se konflikti i Rusisë me Ukrainën ka shqetësuar vendet e Evropës Lindore anëtare të NATO-s dhe se shtetet baltike dhe Polonia, kanë “nevojë për një siguri të qartë nga aleanca”. Merkel gjithashtu është e mendimit, se pavarësisht humbjes së besimit tek Rusia, NATO-ja do të vazhdojë të ndjekë ndaj Moskës një strategji të dyfishtë: të parandalimit dhe dialogut. NATO-ja po përballet me konflikte të tjera dhe se “në një botë të trazuar” aleanca ka nevojë për t’u përballur me pasojat e luftës civile në Siri, paqëndrueshmërinë në Irak dhe konfliktet në Afrikën nën-Sahariane, krizën e refugjatëve, grupin e Shtetit Islamik dhe krimin kibernetik. Udhëheqësit e NATO-s po përgatiten për një përballje afatgjatë me Rusinë, duke urdhëruar dislokime trupash, përfshirë 1.000 amerikanë në Poloni dhe në shtetet baltike për të ndihmuar në mbrojtjen e këtyre vendeve. Synimi i tyre është ta detyrojnë Moskën të rishikojë planet që ajo mund të ketë për ndonjë ndërhyrje ushtarake.

Që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, bota perëndimore ka bërë një rrugë të gjatë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në komunitetin trans-atlantik në sajë të ndjekjes së rrugës së demokracisë, por me sa duket agresiviteti i ripërtërirë i Rusisë, po dëshmon se këto vlera janë përsëri duke u minuar nga kërcënimet dhe sfidat, disa prej të cilave Evropa nuk i kishte njohur për dekada të tëra.

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: