PROF. DR. ARBEN MALAJ /
Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet duke përdorur të njëjtën mendësi që kemi përdorur kur i kemi krijuar ato”, do të këshillonte Albert Einstein. Si studiues, por edhe kontribuues në proceset integruese të Shqipërisë dhe Kosovës, kam shpresuar shumë që edhe në këtë takim informal apo takime të tjera që mund të zhvillohen, Kosova do të përfaqësohej/t nga kryeministri Kurti dhe për çdo arsye të arsyeshme nga edhe nga Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i parë për Integrimin Evropian, Zhvillim dhe Dialog. Nuk duhen ushqyer aludimet se Rama nuk do ta pranonte zëvendëskryeministrin e Kosovës në këtë takim informal me arsyen e paarsyeshme se protokolli i takimeve parashikonte pjesëmarrjen vetëm të kryeministrave. Zëvendëskryeministri ka të drejta të barabarta përfaqësimi kur ky përfaqësim i delegohet nga Kryeministri. Është e dobishme për qeverinë shqiptare që të mos e nxit zjarrin e konfrontimeve dhe baltosjeve në debatet mediatike, për sqaruar këtë moment, nëse ka pasur apo jo “pengesa protokollare” që pengonin Kosovën të përfaqësohej nga zëvendëskryeministri, i cili njëkohësisht është kyenegacitor i Kosovës me BE-në. Disa arsye pse Kosova duhet të jetë një kontribuues i rëndësishëm në heqjen e çdo pengese që deformon, vonon, pengon dhe penalizon procesin e integrimit euroatlantik të saj dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë:
– Procesi i Berlinit aktualisht është projekti më i mirë për të ardhmen e Kosovës dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pas integrimit të projektit “Ballkani i Hapur”, brenda procesit të Berlinit është eliminuar çdo mbivendosje e projekteve si edhe midis partnerëve strategjikë. Është harmonizuar vizioni euro-atlantik i për të gjitha vendet të Ballkanit Perëndimor;
– Perspektiva evropiane e Kosovës ka mbështetjen e qartë, të përhershme dhe të pakthyeshme të shumicës absolute të popullit të Kosovës;
– Procesi i Berlinit, pavarësisht se është prezantuar në publik nga kancelarja Merkel, nuk është projekt vetëm i Gjermanisë por i BE-së. Kancelarja Merkel e sqaroi se drejtimi i këtij projekti do të bëhet me rotacion nga vendet e tjera të BE-së;
– Projekti i Berlinit ka në zemër filozofinë e krijimit të vetë BE-së, që përmes integrimit ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor të arrihet eliminimi i luftërave. Kjo është arritja më e madhe në historinë 78-vjeçare të BE-së.
– Procesi i Berlinit duhet kuptuar dhe mbështetur në mesazhin e qartë të ishministrit të jashtëm francez, një prej baballarëve themelues të BE-së, Robert Schuman, i cili në fjalimin e tij në 9 maj të vitit 1950 (që sot festohet si Dita e Evropës) theksoi se: “Evropa nuk do të bëhet menjëherë, ose sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, të cilat së pari krijojnë një solidaritet de fakto”. Procesi i Berlinit duhet të prodhoj arritje konkrete për popujt e vendeve të Ballkanit Perëndimor;
– Është jetike që Kosova të përfshihet në nismat dhe projektet rajonale me destinacion integrimin dhe anëtarësimin euro-atlantik. Drejtuesit e Ballkanit Perëndimor dhe sidomos lidershipi politik në Kosovë duhet mbështesin çdo nismë dhe projekt integrimi. Jean Monnet një prej themeluesve të BE-së në 1943 theksoi se: (a) “Nuk do të ketë paqe në Evropë nëse shtetet rikonstituohen mbi bazën e sovranitetit kombëtar, me gjithçka që kjo nënkupton përsa i përket politikës së prestigjit dhe proteksionizmit ekonomik; (b)- Vendet e Evropës janë shumë të vogla për t’u garantuar popujve të tyre prosperitetin që kushtet moderne e bëjnë të mundur dhe rrjedhimisht të nevojshme; si dhe (c) Prosperiteti për shtetet e Evropës dhe zhvillimet shoqërore që duhet të shoqërohen me të, do të jetë e mundur vetëm nëse ato formojnë një federatë ose një ‘entitet evropian’ që i bën ato në një njësi të përbashkët ekonomike”;
– Projekti i BE-se vijua dhe u mbështet tek filozofia e Churchillit, i cili më 19 shtator 1949 në Zurich do të theksonte se: “Nuk mund të ketë ringjallje të Evropës pa një “Francë dhe një Gjermani” të mëdha shpirtërisht. Kjo vlen shumë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ja përse çdo angazhim i përbashkët dhe i unifikuar i Gjermanisë dhe Francës, edhe në rastin e konflikteve në veri të Kosovës, është mundësia me e mire për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Kjo do të hiqte çdo penalitet dhe ngrirje te hapave integruese dhe bllokimin e fondeve grant të BE-së ndaj Kosovës. Bashkëpunimi në çdo iniciativë, proces apo projekt do të lehtësonte dhe përshpejtonte integrimin euroatlantik të Kosovës. Angazhimi i BE dhe SHBA meriton bashkëpunim maksimal, të sinqertë dhe produktiv duke filluar nga Kosova dhe çdo lider i Ballkanit Perëndimor;
– Procesi i Berlinit ka një filozofi të qartë për mbështetjen dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të BP-së, duke e kushtëzuar mbështetjen e tij me burimeve financiare grante dhe kredi të buta, vetëm kur projekti jep efekte pozitive në dy ose më shumë vende anëtare të Ballkanit Perëndimor;
– Procesi i Berlinit është mundësia më e mirë për të fituar një mbështetje prioritare për arsimin, duke hequr çdo ndryshim financiar në përfitimin e bursave. Studentet e Ballkanit Perëndimor, të pjesës më të varfër të Evropës, paguajnë 4 deri në 6 herë më shumë të “tarifës vjetore për studimet” që paguajnë studentet e vendeve anëtare te BE-së;
– Procesi i Berlinit është nisma më e mirë për të kërkuar një rritje të granteve për bujqësinë, pasi skemat mbështetëse të BE-së dhe vendeve anëtare të tyre me subvencione direkte dhe indirekte dëmtojnë rëndë fermerët në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo dëmton thelbin e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve partnere pasi tregtia bazohet në parimin që të jete “e lirë dhe e drejtë”. Aktualisht, tregtia me BE-në, veçanërisht në produktet bujqësore, është e lirë, por jo e drejtë.
– Ballkani Perëndimor, më shumë se kurrë dhe veçanërisht pas ngjarjeve në Ukrainë, duhet të udhëhiqet dhe të përkushtohet në proceset integruese. Kjo sepse pas viteve 2000, Ballkani Perëndimor ka arritur paqen, e cila është një parakusht për rritjen e mirëqenies. Por, paqja nuk është e qëndrueshme pa rritjen e mirëqenies reale të popujve të vendeve të tyre.
Kosova duhet të përfaqësohet në takimin informal për procesin e Berlinit të organizuar nga Rama. Kosova duhet të ketë kontribut të rëndësishëm në suksesin e Procesit të Berlinit.
Kosova gjithashtu mund të propozojë përvojën BE-së për të vendosur që takimet formale midis vendeve te Ballkanit Perëndimor të mbahen me rotacion tre/gjashtë mujorë në secilin vend të Ballkanit Perëndimor, të drejtuar nga secili vend anëtar sipas një rotacioni të rënë dakord më parë.
Së fundi, historia e përgjakshme e Evropës në dy luftërat botërore e ushqyer nga nacionalizmi i sëmurë, por veçanërisht nga historia e themelimit të BE-së në thellimin dhe integrimin e vendeve të saj tregojnë se marrëdhëniet personale midis liderëve të vendeve anëtare, veçanërisht midis Gjermania dhe Franca i kanë përshpejtuar ose vonuar proceset integruese. Kjo vlen për të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor për të shembur çdo barrierë dhe për të lehtesuar dhe rritur komunikimin me të gjithë faktorët politik e shoqërore të vendeve të tyre dhe midis tyre.
Kosova, por edhe vetë Kurti, e kanë më shumë se kurrë të domosdoshme dhe kanë përgjegjësinë historike që të eliminojnë çdo pengesë dhe vonesë në të ardhmen e tyre evropiane.
Liderë të suksesshëm janë ata që arrijnë suksese të prekshme për sfidat historike të vendeve të tyre, të cilëve e ardhmja u rezervon një mirënjohje të përhershme.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, liderët e Ballkanit Perëndimor përballë sfidave të vështira të vendeve te tyre apo edhe personale mund të frymëzohen edhe nga vizioni i Albert Einstein kur këshillonte se: “Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet duke përdorur të njëjtën mendësi që kemi përdorur kur i kemi krijuar ato”.
*Lektor për Integrimin Evropian