Mbi 50 për qind e shqiptarëve qeverisen nga “pakica”. Pse nuk i duan emigrantët në votime?

Politika

KQZ bëri me dije se në këto zgjedhje votuan 1.395.360 qytetarë shqiptarë nga 3.650.658 zgjedhës që u thirrën në total, ose pjesëmarrja ishte 38.22 %. A duhet të votojnë emigrantët shqiptarë dhe çfarë duhet të bëjë politika për ta bërë realitet këtë të drejtë kushtetuese? Arbi Agalliu, deputet i Partisë Demokratike, beson se politika nuk ka pasur interes për votat e emigrantëve në këto tri dekada dhe me qëllim i ka përjashtuar ata, por ka ardhur momenti që të fitohet kjo e drejtë kushtetuese.
Silvana Begaj, Kryetare e Rrjetit Panshqiptar të Diasporës, thotë nga ana tjetër se politika e 30 viteve të fundit ka shtrirë ndikimin e saj në diasporë për t’i përçarë me qëllim ata të mos e fitojnë të drejtën e tyre, ashtu siç klasa politike ka vepruar edhe në Shqipëri, por si ndryshim, i trembet valës, presionit dhe ndryshimit që mund të vijë prej emigracionit

Nga Aranit Muraçi

Rrallë mund të gjendet një popull tjetër në botë, që gjysmën e tij e ka në emigrim. Është e vështirë të gjendet një tjetër popull, i cili gjysmën e ka përjashtuar nga e drejta themelore e votës dhe e përfaqësimit. Si të mos mjaftonte guximi, sakrificat, kontributet dhe atdhedashuria pa kushte, ata tri dekada pas rënies së komunizmit nuk kanë as të drejtën e votës. Madje kur kthehen me pushime në vendlindje, përballen me mosmirënjohjen, arrogancën dhe shpërfilljen e autoriteteve. Gjobiten padrejtësisht në rrugë, sorollaten nëpër zyra, iu kërkohet ryshfet. Prej 30 viteve vetëm sjellin kontribute për vendin e tyre, por nuk marrin asgjë, nuk vendosin, madje nuk kanë të drejtë as të flasin. E gjitha kjo në emër të “demokracisë”?!

Çfarë është demokracia në të vërtetë? Pse të gjitha vendet e tjera, përfshirë edhe Kosovën, ua kanë dhënë të drejtën e votës emigrantëve, ndërsa Shqipëria konkurron me vendet më të zhvilluara dhe fluturon me satelitët e saj në hapësirë, duke investuar dhe kërkuar për të zbuluar ose lehtësuar, siç pretendohet, “rrugët e paligjshme” që ndjekin shtetasit e saj, por nuk gjen dot rrugën e ligjshme ose modulin që qytetarët e saj të kenë të drejtën themeltare të votës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu, për “Liberale” pranoi se është e vërtete që diaspora shqiptare nuk e ka fituar ende të drejtën e votës dhe të përfaqësimit dhe për këtë fajësoi politikën 30-vjeçare. “Është mëse e vërtetë që shqiptarët, në këto 30 vite, që nga ndryshimi i regjimit totalitar dhe deri më sot, nuk kanë qenë të përfaqësuar. Kjo besoj se ka ndodhur më së shumti si një pakt do ta quaja, të vetë politikës për t’i lënë ata jashtë përfaqësimit”, theksoi Agalliu.

“Arsyeja pse mendoj kështu”, vijoi më tej Arbi Agalliu, – “është shumë e thjeshtë. Janë pikërisht këta shqiptarë që sot bëjnë shumë qartë dallimin midis një vendi demokratik apo vendeve të zhvilluara sikurse janë vendet e Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Janë pikërisht këta shqiptarë, të cilët, jetojnë në përditshmërinë e tyre, në vende demokratike si në Itali, Greqi, Gjermani, Britaninë e Madhe etj, dhe sot pas 30 viteve ata janë në gjendje të bëjnë dallimin mes një vendi të zhvilluar, një vendi me ekonomi të stabilizuar, dhe të kuptojnë arsyet pse Shqipëria ndodhet në një situatë të tillë, në një situatë ku fatkeqësisht zhvillimi ekonomik ecën me hapa minimalë. Prandaj edhe nëse do t’iu jepet e drejta e votës, qeveritë e deritanishme qoftë të majta apo të djathta do të ndëshkoheshin në një farë mënyrë prej votës së tyre”, shprehet ai.

Klasa politike në 30 vitet e pluralizmit, për interesat e saj, duke i lënë harresë dhe jashtë përfaqësimit është përpjekur edhe t’i mbajë të përçarë emigrantët, që ata të mos organizohen dhe të mos e ngrenë zërin për të drejtat e tyre. Të paktën kështu mendon Silvana Begaj, Kryetare e Rrjetit Panshqiptar të Diasporës, me përvojë akademike ne Suedi. Silvana u largua rreth 12 vite më parë nga Shqipëria, duke mos gjetur hapësirat e duhura në vendin e saj. Dhe sot ajo lufton për të drejtat e emigrantëve në Suedi dhe më gjerë, ndërkohë që thotë se fatkeqësisht nuk kanë fituar ende të drejtën themelore në vendin e tyre të origjinës.

“Diaspora shqiptare është një prej diasporave më të mëdha për nga numri i popullsisë. Shpesh ka bërë përpjekje për organizim, përpjekje të cilat kanë mbetur në nivel kulturor”, thotë Silvana Begaj, për Liberale. – “Vihet re një përçarje e diasporës shqiptare dhe kjo është për të ardhur keq. Ne që jetojmë jashtë trojeve shqiptare kemi ikur për arsye deri diku të njëjta, përveç diasporës së vjetër”, shton ajo. “Ekzistojnë disa shoqata, organizata të cilat promovojnë kulturën, gjuhën, traditat, zakonet, ushqimet etj. Mendoj se janë një përpjekje e vlefshme për të mos humbur identitetin tonë, por a mjafton? Në opinionin tim është totalisht e pamjaftueshme dhe prandaj besoj se ka nevojë urgjente për një riformim të diasporës shqiptare”.

Sipas statistikave zyrtare të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, prurjet e emigrantëve për vitin 2022 arritën në 834 milionë euro, me një rritje prej 9.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më prurjet e vitit të fundit emigrantët shqiptarë tejkaluan të ardhurat e vitit 2008-s prej 834 milionë euro, që është dhe viti më i hershëm kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Që nga viti 1992, kur nisën flukset e para të prurjeve, si pasojë e zgjerimit të ciklit të emigracionit, remitancat përherë më shumë po ndikojnë në jetën socio-ekonomike në vend. Vlerësohet se ato janë burimi i vetëm financiar për gati 26 për qind të familjeve shqiptare, duke mbajtur gjallë konsumin përmes përfshirjes financiare të popullatës, por duke dekurajuar punësimin.

Remitancat nga emigrantët gjatë viteve të fundit po ndjek një cikël të ri rritjeje, që i detyrohet kryesisht valës së re të emigracionit të dekadës së fundit. Pas vitit 2013 nisi një cikël i ri emigracioni, që po përfshin gjithnjë e më shumë të rinjtë e arsimuar e të kualifikuar, të cilët po shfrytëzojnë nevojën për punë të specializuar në vende të ndryshme të BE-së, sidomos në Gjermani. Sipas vlerësimeve të Instat, Shqipëria ka një diasporë prej afërsisht 1.7 milionë banorësh, nga të cilët rreth një milion është e shpërndarë në vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Rreth 1.2 milionë banorë janë larguar pas viteve 1990.

Arabi Agalliu
i përket një fryme të re në politikë dhe beson se ai dhe të tjerë do të investohen që diapsora shqiptare të bëhet pjesë e së drejtës themelore kushtetuese, që është vota. – “Besoj fort se politika shqiptare e ka konsideruar votën e emigrantëve, si një votë që nuk mund të blihet, nuk mund të shantazhohet, prandaj edhe nuk e kanë përfshirë atë, duke u fokusuar vetëm te vota brenda territorit të Shqipërisë, duke ditur se kjo votë mund të blihet, mund të shantazhohet nga mafia, qoftë edhe me një vend pune, fenomene që i dimë fare mirë dhe hasim në përditshmërinë tonë”, thotë Agalliu.

“Nuk e shoh aspak të vështirë realizimin e votës së emigrantëve. Patjetër që ka burokraci të caktuara, por nëse ka vullnet politik, çdo gjë arrihet. Sot me zhvillimet teknologjike, por edhe me arritjen e një standardi të caktuar, të jetës politike ndërkombëtare, besoj se është shumë e thjeshtë për të mundësuar votën e emigrantëve shqiptarë. Kemi shumë praktika ndërkombëtare sesi mund të realizohet vota e emigrantëve tanë, është shumë e thjeshtë, mjafton që të ketë vullnet politik”
.

Silvana Begaj
më tej bën krahasimin me diasporën e Kosovës, e cila ndryshe nga ajo e Shqipërisë e fitoi më herët të drejtën e votës. – “Diaspora e shqiptarëve të Kosovës është deri diku më e organizuar dhe për shkak të kohës më të madhe në emigrim dhe mbështetjes që kanë nga shteti i tyre. Edhe jashtë territorit të Shqipërisë arsyeja që sjell përçarje është pikërisht politika. Ndasitë politike bëjnë që të kenë konflikte midis tyre dhe që çdo përpjekje që mund të jetë edhe për të mirën e të gjithë emigrantëve shikohet me dyshim, mbulohet me mosbesim duke bërë çdo përpjekje për bashkim të dështojë. Besoj se ka ardhur koha që të gjithë të pranojnë realitetin. Ne ikëm për shkak të politikave korruptive që ka pasur Shqipëria, që nga ardhja e demokracisë deri në ditën e sotme. Kjo e vërtetë duhet të na bashkojë”, thotë

Begaj mendon se ka ardhur koha që diaspora të përfshihet në jetë politike të vendit dhe me eksperiencën që ka fituar në botë do t’i japë hov zhvillimit të vendit. “Përfshirja e një diaspore jo militante, një diaspore që ka një këndvështrim tjetër të një shteti modern do të sillte ndryshime të mëdha në politik-bërje. Diaspora shqiptare punon dhe jeton me Shqipërinë dhe ajo ka të drejtën të votojë dhe të ketë zërin e saj në parlamentin shqiptar”, thekson ajo.

Silvana Begaj e quan të padrejtë madje me qëllime të mbrapshta faktin që aktualisht për fatet e demokracisë në Shqipërisë është e përjashtuar gati shumica.



“Shumë shtete tregohen të padrejta me emigrantet shqiptarë dhe ne kemi një zë të mbytur nga indiferenca e shtetit tonë, duke e lënë çdo problem të pazgjidhur. Shteti shqiptar na injoron në çdo lloj forme dhe kujtohet për ne vetëm në kohë fushate, ku me premtime boshe mbush autobusët me militantët e tyre, që të kenë sa më shumë votues e më pas lënë gjithçka në harresë. Më shumë se gjysma e popullsisë është jashtë territorit të Shqipërisë. A nuk kemi ne, shumica, të drejtën kushtetuese për të pasur një zë që të vendoste mbi fatet e demokracisë shqiptare, që do të sillte ndryshime reale në atë vend i cili po plaket çdo ditë?”
.

E drejta e diasporës dhe e emigrantëve herët e vonë, megjithatë do të triumfojë. Deputeti Arbi Agalliu e konsideron shpresë për të ardhmen momentin kur vota e emigrantëve të bëhet realitet.

“Pas 30 viteve, pasi kanë dhënë një kontribut disavjeçar në vendet ku ata jetojnë, pasi kanë treguar se me punë, përpjekje, angazhim, profesionalizëm, kanë arritur të kenë sot kompani drejtimi, ne jemi dëshmitarë të gjallë të historive të suksesit të shumë shqiptarëve qoftë në botën akademike, qoftë në sport, kulturë e fusha të tjera, kështu që është për të ardhur keq që ata që rriskuan dhe u larguan nga Shqipëria për një jetë më të mirë, të mos u jepet e drejta e votës që të vendosin për vendin e tyre. Do të ishte një farë shprese për vendin, që më në fund edhe emigrantët tanë të votonin. Në këto 30 vite fakti që lidershipi politik fatkeqësisht nuk po ndryshon dhe e mban këtë vend të shtypur, duke mos lejuar që të qarkullojnë elitat, sikurse ndodh në botën e zhvilluar, ku vendos vota e lirë, shpjegohet edhe me mohimin e votës së emigrantëve”, shpjegon Agalliu.

“Personalisht jam dakord dhe i prirur për të mbështetur një proces votimi të të gjithë shqiptarëve që ndodhen jashtë Shqipërie, sidomos emigrantëve. Besoj se Partia Demokratike, me këtë periudhë tranzicioni dhe rikuperimi të saj, duhet ta ketë dhe do ta ketë Yllin Polar të drejtën e votës së shqiptarëve, që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.” Zgjedhjet lokale të 2023 janë në prag. Ato të përgjithshme 2025 po vijnë. A do të fitojnë emigrantët të drejtën e tyre themelore kushtetuese, për të vendosur mbi fatin e tyre të dhe të vendit të tyre?

Shifra dhe fakte

Numri i shtetasve të Shqipërisë që morën nënshtetësi në BE në vitin 2020 sipas Eurostat ishte 146% më i lartë se në vitin 2010 , ndërsa për shtetasit e Turqisë, vendi me popullsinë më të madhe në Ballkan, numri ra me 49%.

Mbi një milion shqiptarë – rreth 27,5% e popullsisë së përgjithshme shqiptare dhe 35% e popullsisë aktive (RoA, 2010) – kanë migruar jashtë vendit; përqindja më e lartë në mesin e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

1 milion shqiptarët në emigracion duket se janë një maxhorancë karshi votave që kanë marrë mazhorancat qeverisëse gjatë këtyre tri dekadave tranzicion në Shqipëri dhe kjo është arsyeja që politika e deritanishme e ka refuzuar votën e tyre.

Artikulli i publikuar në Revistën “Liberale”