Është finalizuar me sukses operacioni antidrogë i koduar “Marinza”. Policia e Fierit ka sekuestruar 78 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa dhe ka vënë në pranga shoferin që po e transportonte.
Bëhet e deitur se në dalje të qytetit të Roskovecit, në orën 04:00, mbi bazën e informacionit të marrë, u ndalua mjeti furgon i tipit “Fiat”, me targa “AF 670 RB”.
Policia ka njoftuar se nga kontrolli i ushtruar në mjet në pjesën e pasme u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi materiali bimor i dyshuar lëndë narkotike kanabis sativa e ndarë në 73 pako të mbështjella me natriban me peshë rreth 78 kg.
Gjithashtu nga informacionet e deritanishme mësohet se nga veprimet e para hetimore rezulton se lënda e dyshuar narkotike ishte e presuar në pako dhe e mbështjellë posaçërishtë me qëllim për t’u trafikuar më pas jashtë vendit me destinacion Italinë.
Po kështu janë kryer verifikime edhe për automjetin furgon të markës “Fiat” me targa “AF 670 RB”, ku nga verifikimet paraprake dyshohet se është i trafikuar në Shqipëri.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë drejtuesi i mjetit, shtetasi Fabian Tomorri, 30 vjeç, banues në fshatin Velmish, Roskovec.
Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 78 kg lëndë narkotike, automjeti tip “Fiat” dhe 3 aparate telefoni celularë. Policia po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i lëndëve narkotike” i mbetur në tentativë dhe “Trafikim i mjeteve motorike” parashikuar nga Nenet 283, 283/a e 22 dhe 141/a të Kodit Penal.