Meta: Përgjegjësi e Ramës dhe e Bashës, zhvillimi i zgjedhjeve të lira

Aktualitet

Kryeparlamentari Ilir Meta, i ftuar në studion e “Zonë e lirë” në Tv Klan, deklaroi të premten në mbrëmje se marrëveshja Rama-Basha synon cënimin e votës së lirë të qytetarëve, por LSI siguroi ai, nuk do t’ a lejojë të ndodhë kjo, pasi ka nisur monitorimin duke filluar me Policinë e Shtetit.

Meta duke komentuar ftesën e kryeministrit për drejtimin e qeverisë ‘ i pakushtëzuar’ theksoi se këtu po rrezikohet Shqipëria, po kërcënohet vota e lirë e qytetarëve shqiptarë, pasi kemi një person që nuk dëshiron të drejtojë, por pushtojë Shqipërinë. Këtë, tha Meta, do ta arrijë përmes deformimit të procesit të zgjedhjeve, proces sipas tij, i nisur kohë më parë duke synuar mospërfshirjen e opozitës në zgjedhje e duke vijuar më tej me marrëveshjen e 18 majit. Kjo marrëvedhje, tha Meta, rrezikon standardin e zgjedhjeve.

Por ai siguroi jo vetëm partitë të cilat nuk kanë komisioner apo numërues, por edhe mbështetësit e Partisë Demokratike se komisionerët dhe numëruesit e LSI, do të mbronin çdo votë dhe se nuk do të shiteshin, siç, përmendi ai, komisionerët e PD-së në zgjedhjet vendore në Peshkopi.

“Vota e lirë është pasuria më e madhe që ka qytetari i vendit tonë, e vetmja mundësi për të përmirësuar e ndryshuar të ardhmen e vendit të tij”, tha Meta.

Meta tha se do të do të jetë përgjegjësi e Ramës dhe e Bashës zhvillimi i zgjedhjeve të lira në 25 qershor, pasi nuk ka vetëm Rama përgjegjësi, por edhe Basha. “Është përgjegjës edhe Basha për shkak se marrëveshja e bërë prej tij ka lejuar policinë e drogës, siç e quajti ai në çadër me të drejtë, të bëjë këto lojra”, deklaroi Meta.

Sipas tij, ministri i Punëve të Brendshme është një person me integritet , një hero ashtu siç janë të gjithë ushtarakët në pergjegjësi, por është i pafuqishëm të garantojë integritetin e procesit zgjedhor.

Ndërsa i pyetur mbi mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me Ramën, Meta tha se ai e dogji shansin e tij për të drejtuar vendin.

Ndërsa akuzave të herë pas hershme të kryeministrit për shpërdorimin e pushtetit nga ana e drejtuesve të LSI në administratë, Meta iu përgjigj se kishte pranuar largimin e ministrave të LSI-së, për ti dhënë të gjithë hapësirën e nevojshme Ramës për të qeverisur. “Largova Manjanin nga minsitër i Drejtësisë edhe pse ai kishte të drejtë në të gjitha çështjet që kishte ngritur, si ajo e drogës, etj”, deklaroi Meta.

I pyetur për mundësinë e një dorëheqjeje nga posti i Presidentit, Meta tha se do të merrte çdo vendim që do t’i shërbente stabilitetit të vendit dhe se edhe pranimi i kandidimit të tij për këtë post ishte në këtë kuadër.

“E pranova për të evituar përshkallëzim e krizës”, tha Meta. Ndërsa përsa i përket përfshirjes së tij në fushatë, Meta tha zgjedhjet e lira po cënoheshin dhe se ndjente përgjegjësinë të mbronte votën e lirë jo vetëm të LSI, por të çdo qytetari.

Meta foli edhe për programin ekonomik që ofron LSI për drejtimin e ri të vendit. Sipas tij, programi i ri ekonomik që ofron kjo forcë politike synon fuqizimin e shtresës së mesme të vendit, e cila tha ai është goditur nga taksat e rënda.

“Kemi qënë kundër kësaj politike taksash edhe në 2013-ën, por meqë PS u votua nga populli, LSI nuk mund t’a kushtëzonte këtë politikë taksash. Por ne e bëmë të qartë se nuk do të kishte asnjë rezultat pozitiv”, deklaroi Meta./agjonaj/ atsh/