MPB: Gjendja Civile e hapur edhe këtë fundjavë, bëni regjistrimin e vendbanimeve

Aktualitet

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se zyrat e Gjendjes Civile do të jenë të hapura edhe këtë fundjavë dhe fton qytetarët të bëjnë regjistrimin e vendbanimeve të tyre. Më herët  ministria ka njoftuar se për të gjithë  personat që nuk bëjnë regjistrimin e banesave do të ketë gjoba.

Nëse nuk do të deklarohet adresa fillestare apo e ndryshuar pranë zyrave të Gjendjes Civile atëherë do të penalizoheni me 10,000 lekë gjobë nga 3,000 lekë që është aktualisht. Ky është amendimi i ligjit për Gjendjen Civile, i miratuar nga Kuvendi që hyri në fuqi këtë Janar.

Për procedurën e ndryshimit të vendbanimit (e cila realizohet në zyrën pritëse nën juridiksionin territorial të së cilës ndodhet ndërtesa, godina e vendbanimit), kërkesa për ndryshimin ose deklarimin e vendbanimit duhet të shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:

– fotokopje të letërnjoftimit për çdo person madhor, anëtar të familjes;

-dokumentin e pronësisë së banesës, ose kontratë qiramarrje / huadhënieje / përdorimi / banimi, apo çdo dokument tjetër të ligjshëm të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, që i jep shtetasit të drejtën e përdorimit të banesës.

Siç është njoftuar edhe më parë, afati i fundit për të kryer regjistrimin është data 28 korrik 2017, pas së cilës çdo regjistrim do të kryhet kundrejt gjobës (masës administrative). MPB u bën thirrje të gjithë shtetasve që nuk kanë të regjistruar adresën e banimit, të kryejnë sa më shpejt këto procedura.