Greqia ka reaguar sërish ndaj miratimit një javë më parë nga parlamenti shqiptar të ligjit për pakicat kombëtare në vend. Ministria e Jashtme greke e quan hapin e njohjes së minoriteteve si hap pas, në lidhje me minoritetin grek që jeton në Shqipëri, duke theksuar se minoriteti në fjalë është kryesor.
MPJ e shtetit grek akuzon qeverinë e Tiranës për promovimin që bën për shkatërrimin e pronave të minoritetit grek.
“Këto masa janë duke u ndërmarrë nga ana e qeverisë shqiptare, me qëllimin e qartë për të ç’rrënjosur praninë e helenizmit në Himarë”, thuhet në reagimin e ministrisë. Më tej ngrihet dyshimi se masat në fjalë janë duke u ndërmarrë nga qeveria e Shqipërisë për të shkëputur vëmendjen nga skandalet që ka kjo qeveri. “Ka shumë që e interpretojnë këtë gjë si një akt me qëllim shmangien e vëmendjes të publikut shqiptar nga çështjet kryesore politike”, ka shtuar më tej Ministria e Jashtme e Greqisë. Athina zyrtare ka shprehur shqetësim edhe në lidhje me grupin e trafikantëve të kapur me drogë si dhe lidhjet e tyre me zyrtarë të lartë në qeverinë e Shqipërisë, ku u implikua edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. “Ministria e Jashtme greke është po kaq e shqetësuar nga lidhja e dukshme mes krimit të organizuar dhe skenës politike në Shqipëri siç dëshmohet me arrestimet e fundit të krerëve të kontrabandës së drogës dhe lidhjeve të tyre të afërta me një ministër, mjaft i rëndësishëm në qeverinë Rama”, nënvizohet në njoftim.