Ndotja e ajrit shkakton vdekjen e parakohshme të të paktën 1200 fëmijëve dhe adoleshentëve çdo vit në Evropë, sipas një raporti të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) të publikuar sot.
Ashtu si për të rriturit, ndotja e ajrit është rreziku kryesor mjedisor për shëndetin e të miturve dhe gjymton jetëgjatësinë e tyre, zbulon ky studim që përfshin tridhjetë vende, përfshirë 27 shtetet anëtare të BE-së.
“Ndotja e ajrit shkakton më shumë se 1200 vdekje të parakohshme në vit (në grupmoshën) nën 18 vjeç në Evropë dhe rrit ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve më vonë në jetë” për të miturit, thekson EEA në raportin e saj.
Sipas një raporti tjetër, të publikuar nga EEA në nëntor, të paktën 238,000 njerëz – pavarësisht moshës – vdiqën para kohe në vitin 2020 për shkak të ndotjes së ajrit në vendet anëtare të organizatës (BE, Norvegji, Zvicër, Islandë, Lihtenshtajn dhe Turqi).
Raporti i publikuar n; 24/04/2023 është i pari i EEA që fokusohet te të miturit.
Megjithëse përqindja e fëmijëve dhe adoleshentëve të prekur nga ndotja e ajrit është “relativisht e vogël” në krahasim me popullsinë në tërësi, të vdesësh apo të sëmuresh kaq herët do të thotë “humbje e potencialit të ardhshëm dhe shumë sëmundje kronike si në fëmijëri ashtu edhe në adoleshencë”. si dhe më vonë në jetë”, nënvizon organizata.