Në pikiatë ekonomia shqiptare për vitin 2015

Ekonomi

ekonomia ne focus-2Në pikiatë vazhdon të shkojë ekonomia e vendit tonë. Këto javë po publikohen, njëra pas tjetrës, disa të dhënat ekonomike për vitin e shkuar. Ja edhe përmbledhja e atyre që janë bërë publike deri tani:

  • Eksportet, në vlerën rreth 1,8 miliard euro, kanë pësuar rënie të ndjeshme dhe parashikohet të bien edhe më tej.
  • Importet, me rreth 4 miliard euro, janë të qëndrueshme pa patur ndryshime të ndjeshme.
  • Defiçiti tregtar me 2,2 miliardë euro është rritur e pritet që do të rritet më tej përderisa pritet ulje e eksporteve.
  • Të ardhurat nga emigrantët, me rreth 600 milionë euro, duken stabël në krahasim me dy vitet e fundit.
  • Investimet e huaja janë deklaruar më shumë se 900 milionë euro, të rritura në krahasim me 2014, por nuk ka patur asnjë informacion mbështetës apo shenjë të dukshme që kjo të jetë e vërtetë.
  • Borxhi i jashtëm, publik e privat, u rrit me 700 milionë euro gjatë vitit.
  • Totali i borxhit të jashtëm në fund të 2015 arriti në rreth 7,6 miliardë euro.
  • Totali i depozitave bankare në fund të 2015-s ishte rreth 7,6 miliardë euro.

Shifrat e mësipërme, në një shpjegim të thjeshtësuar do të thonë që: gjatë 2015-s kemi konsumuar 2,2 miliardë euro mallra më shumë nga sa kemi eksportuar, të cilat i kemi paguar me ato pak të ardhura nga emigracioni (600 milionë), me investimentet e huaja (900 milionë) dhe pjesën tjetër me borxhe nga jashtë vendit (700 milionë).

Kjo gjendje zgjat prej vitesh, në mënyrë të pandryshueshme.

Kemi arritur në një situatë financiare ku borxhi i jashtëm i kompanisë Shqipëria (shteti 43 për qind, bankat 18 për qind dhe privatët 22 për qind) është i njejtë me depozitat ( kryesisht të privatëve) në bankat e vendit. Me pak fjalë, në qoftë se do shlyenim të gjitha borxhet, nuk do të mbetej asnjë gjë në bankë. Në realitet, nga 7,6 miliardë euro në depozita më tepër se gjysma janë angazhuar si kredi të dhëna ekonomisë shqiptare, ku rreth një e katërta janë, tashmë, borxh i keq.

Përtej parashikimeve pompoze të qeverisë, ecuria e eksporteve dhe huave do të vazhdojë e tillë, në mos do të përkeqësohet këtë vit, në rastin që shteti do të ndërhyjë financiarisht për të shpëtuar nga falimentimi i paralajmëruar kompanitë më të mëdha debitore.

Investimentet e huaja janë tepër të vështira për t’u matur dhe akoma më të vështira për t’u vlerësuar si parashikim—vetëm për projektet e mëdha shumë vjeçare si Hidrocentrali i Devollit apo TAP-i mund të bëhet ndonjë parashikim. Deri tani, përveç këtyre dy investimeve që do të përfundojnë relativisht shpejt, në horizont nuk duket asgjë tjetër. Natyrisht ka thashetheme që nuk bëhen asnjëherë realitet për konçesione që kërkojnë vite të tëra të fillojnë.

Me pak fjalë, qeveria Rama po “ha” ende atë që kishte gatuar Berisha, por nuk ka vënë asgjë tjetër në furrë. Tani çdo të hamë?!