Nënshtetësia e brezit të dytë & Reformat në Kodin e Emigracionit

1093
fatosi sot

Fatos Malaj, specialist në problemet e emigracionit

Fatos Malaj / Besoj shumë në dinamikën e qeverisë së re, sidomos në sferën e emigracionit. Reformat e premtuara gjatë fushatës do të realizohen, pavarësisht situatës së vështirë në të cilën ndodhemi. E them këtë sepse sot, faktikisht, isha prezent në takimin e mbyllur ku u përcaktuan pikat kryesore të projektligjit për nënshtetësinë e emigrantëve si dhe reformat e domosdoshme në kodin e Emigracionit. Përveç vullnetit pozitiv të qeverisë vendase për miratimin me ligj të të drejtave të emigrantëve, duhet të shtoj dhe dëshirën e mirë për bashkëbisedim, madje dhe ndjekjen e këshillave të vetë emigrantëve.

Personalisht, kam përvojën e këndshme të kem transmetuar me sukses propozime të lindura në vatrën emigrante, të konstatuara gjatë punës time si ndërmjetës kulturor e sot të jenë pjesë e projektligjit që do të diskutohet deri në fund të javës. Kujdes këtu! Në diskutimin e hapur, në platformën elektronike, jeni të gjithë të lutur të merrni pjesë me sugjerime serioze, me propozime për zgjidhjen e problemeve me të cilat jeni ndeshur. Adresa elektronike do bëhet e ditur në fund të javës.

Përsa i përket pikave më të rëndësishme, që kam shënuar paraprakisht për ju, janë si në vijim:

– Bazuar në ligjin e mëparshëm (Ragusis) nuk ndryshojnë vitet e shkollës për marrjen e nënshtetësisë, ndërsa për fëmijët e lindur në Greqi, do të kenë të drejtën të aplikojnë për nënshtetësinë greke nga klasa e parë në fillore, nëse prindërit kanë qenë të ligjshëm 5 vjet me radhë. Kriteret do të jenë tepër të lehta për t’u plotësuar nga komuniteti i madh i brezit të dytë, që vërtet e meriton këtë të drejtë, nëse e dëshiron.

– Përsa i përket Kodit të Emigracionit, do të ndryshojnë “adresën” e aplikimit Lejet për Arsye të Jashtëzakonshme, që do të lëshohen tashmë në Drejtorinë e Decentralizuar, domethënë në “Periferi”.

– Gjithashtu, nëse vërtetoni qëndrimin 10-vjeçar në Greqi, ju që kërkoni leje të jashtëzakonshme (për këtë lexoni publikimin tim të posaçëm) do të pajiseni me Vërtetimin BLU dhe jo të BARDHË, siç veprohej deri tani.

– Për kërkuesit e azilit politik, që janë në pritje 6-7 vjet, do të kenë shansin të pajisen me leje qëndrimi nga Drejtoria e Decentralizuar.

– Një tjetër shans do të jetë  mundësia e blerjes së ensimave, me qarkore të ministrisë së Punës, për sa emigrantë nuk plotësojnë numrin e kërkuar.

– Propozova dhe diçka në lidhje me Bashkimin Familjar, që mesa duket do të merret parasysh, ja të shohim: Për nënat që kanë lindur fëmijët e tyre në Greqi të mos kërkohet Viza, por të kalojnë automatikisht nga Drejtoria e Decentralizimit për legalizim.

Nëse të gjitha këto hyjnë në zbatim, atëherë mund të themi me siguri se shumë probleme do të zgjidhen, si dhe se ne që ndodhemi çdo ditë në Periferinë e Atikës, drejtoria e Decentralizimit do të presim një dyndje akoma më të madhe emigrantësh. Në pritje!

femijet sot




Këtë e pëlqejnë %d blogues: