Nëntë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dyshohet se janë futur në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një ditë pas lajmit se Ambasada Amerikane anulloi takimin me Grupin e Miqësisë Shqipëri – SHBA, për shkak se në përbërje të tij ka elementë të inkriminuar, portali “ekspres.al” publikon një listë të deputetëve që SHBA nuk do të donte që të ishin më pjesë e këtij grupi. Janë të gjithë deputetë të mazhorancës PS – LSI, mes tyre edhe një grua. Sipas këtij portali, që u referohet burimeve konfidenciale pranë Kuvendit, bëhet fjalë për deputetët Artur Bushi, Pjerin Ndreu, Mark Frroku, Tom Doshi, Paulin Sterkaj dhe Esmeralda Shkjau nga PS dhe Shkëlqim Selami, Gjovalin Kadeli e Luan Duzha nga LSI. Ambasada amerikane në Tiranë ishte e para që reagoi ndaj përjashtimit të Tom Doshit nga PS. Ajo e përshëndetit vendimin dhe sqaroi se për Doshin ka patur shqetësime të karakterit kriminal që ua kishte bërë të njohur prej kohësh autoriteve shqiptare. Prania e Doshit në listën e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri – SHBA u konsiderua si një prej arsyeve të anullimit të takimit. Por ai nuk është shqetësimi i vetëm për ambasadën. Amerikanët kanë të njëjtin problem edhe me 8 deputetë të tjerë, sipas ekspres.al. Portali nuk jep detaje për arsyet e përfshirjes së këtyre deputetëve në “listën e zezë” të SHBA. Lapsi.al mësoi se shqetësimin SHBA ia kanë shprehur fillimisht në rrugë joformale Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Për disa muaj me radhë në përbërje të grupit nuk ka patur asnjë ndryshim. Meta e ka konsideruar të pamundur ndryshimin, pasi e ka konsideruar si një çështje jashtë kompetencave të tij, për shkak se anëtarët e Grupit të Miqësisë propozohen nga grupet parlamentare. Ambasada e SHBA nuk është mjaftuar me këtë sqarim dhe i ka nisur një e-mail zyrtar Metës në janar të këtij viti. Kryetarit të Kuvendit i është kërkuar zyrtarisht që disa deputetë të dyshuar si të lidhur me krimin apo me të shkuar kriminale, të mos jenë pjesë e Grupit të Miqësisë. Tre muaj më vonë, kur asgjë s’ka ndryshuar ende, SHBA ndërmerr një tjetër akt të fortë kundër deputetëve për të cilët ajo ka të dhëna se janë të inkriminuar, duke e shtyrë Takimin e Grupit të Miqësisë. Kryetari i Grupit, Pandeli Majko, i pohoi dje ABC News se takimi është anulluar dy herë dhe se arsyeja ishin zhvillimet aktuale politike në vend. Ambasada nuk i ka komentuar ende këto zhvillime. Nuk është e qartë se cili do të jetë hapi i radhës që ajo do të ndërmarrë për këtë çështje.