Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është shprehur këtë të premte në fjalimin e mbajtur në përfundim të mandatit të tij, se ndjehet kryelartë në ushtrimin e përgjegjësisë së rëndë të kryerjes së detyrës së besuar dhe se për 5 vite i shërbeu vendit.
“Kryelartë për faktin se gjatë gjithë kësaj kohe kam ndier dhe përballuar përgjegjësinë e rëndë të kryerjes së detyrës së besuar pa neglizhuar asnjë vështirësi, pa u epur përpara asnjë sulmi, pa u lëkundur para asnjë iniciative, pa u penduar para asnjë vendimi”, deklaroi Nishani.
Nishani në fjalën e tij falenderoi familjen por edhe të gjithë stafin e tij që e kishte mbështetur duke ndarë pikëpamjet dhe koordinuar aksionet në të mirë të fateve të Kombit.
Ndoshta, vijon ai, ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë. Por përsosmëria nuk ka fund. “Puna dhe kontributet tona ishin thjesht punë dhe kontribut njerëzish të përkushtuar. Përtej zhurmave, apo si e thotë Populli, përtej zilkave që pengojnë të dëgjohen këmborët, punuam sa mundëm dhe ia arritëm të ndihemi kryelartë që nuk ecëm mbrapsht, as qëndruam në vend, por përparuam. Mes asaj që gjetëm dhe asaj që lamë, bëmë diferencë. Jo diferencë subjektive. Diferencë pozitive të konstatueshme, të dukshme, të matshme”, shprehet ai.
Me siguri jo aq sa do dëshironim, por vijon Presidenti, diku më tepër e diku më pak, përparuam në të gjitha aspektet.
“Unë dhe bashkëpunëtorët e mi, të bashkërenduar me institucionet e tjera, kemi bërë jo pak dhe ia kemi arritur ta ruajmë dhe lartësojmë Presidencën si institucion që rrezaton dinjitet kombëtar, seriozitet profesional, përgjegjësi qytetare. Kemi bërë sa kemi mundur gjithashtu lidhur me qëndrim besnik dhe respektim rigoroz të përcaktimeve kushtetuese në përgjithësi dhe ndaj çdo rasti në veçanti”, deklaroi Nishani.
Sipas Nishanit, kujdesi ynë kryesor, përqëndrimi ynë më i madh, ajo që na ka preokupuar së tepërmi dhe ndaj së cilës jemi treguar më të vëmendshëm, është mbështetja e institucioneve të pavarura si garante të kolonave mbajtëse të Shtetit në shërbim të qytetarit.
Nishani shprehet se gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ka patur komunikim të pandërprerë dhe të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Arbëreshët në Kalabri, dhe në përgjithësi në Diasporë.
“Kemi arritur të kemi një përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare në të gjitha aspektet”, tha Nishani.
Presidenti Nishani tha më tej se Shqipëria është vendi i pritshmërive të mundshme dhe i aspiratave të realizueshme, për më tepër ekonomi, më tepër të drejta, më tepër liri