Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në rrjetin social Facebook, mbi situatën ekonomike në vend duke cituar raportin e Pier Carlo Padoan, Ministri italian i Ekonomisë dhe Financave, në Komitetin Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN.
Raporti i Pier Carlo Padoan, Ministri italian i Ekonomisë dhe Financave, në Komitetin Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN, në Washington më 21 prill, ka këtë pasazh për Shqipërinë ku jepet një pasqyrë shumë e qartë për këdo që do të kuptojë situatën dhe perspektivën e ekonomisë shqiptare: Në vitin 2016, ritmi i zgjerimit të ekonomisë shqiptare u rrit më tej (rreth 3.5 përqind), ndërkohë që treguesit kryesorë ekonomikë dhe të stabilitetit fiskal e financiar u përmirësuan. Autoritetet kanë vazhduar të ndjekin agjendën e tyre të reformave, që synojnë zgjerimin e potencialit të rritjes dhe elasticitetin e ekonomisë.
Përshpejtimi i rritjes së ekonomisë, mbështetur tek investime më të larta private, rritja e konsumit dhe rritja e eksporteve, çoi në një rënie të konsiderueshme të shkallës së papunësisë (në 14.5 për qind në fund të vitit 2016, nga 17.7 në fund të 2015). Inflacioni bazë dhe ai kryesor u rritën, duke ndjekur rrugën drejt arritjes së inflacionit objektiv të Bankës së Shqipërisë. Defiçiti i llogarisë korrente u kontraktua duke përfituar nga eksportet më të larta, ndërsa përshpejtimi i investimet e huaja direkte në industrinë energjetike dhe atë nxjerrëse lehtësuan kërkesat e financimit.
Treguesit e lartë tregojnë për një moment të qëndrueshëm rritjeje edhe përgjatë gjysmës së parë të vitit 2017.
Konsolidimi fiskal mbetet në rrugën e duhur. Pas më shumë se dy dekadave të defiçiteve primare të vazhdueshme, prej vitit 2016 po regjistrohet një sufiçit primar struktural; Borxhi publik ndaj PBB-së tani është vendosur në një trajektore rënieje të qëndrueshme. Këto rezultate pasqyrojnë gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar menaxhimin e financave publike, si nga ana e të ardhurave ashtu edhe të shpenzimeve, përfshi reformat e sektorit të pensioneve dhe të energjisë.
Sistemi bankar është i shëndetshëm, likuid, me fitim dhe i mirë-kapitalizuar. Janë iniciuar disa ndryshime ligjore dhe rregullatore si pjesë e një strategjie të efektshme për të përballuar dobësitë që vijnë si pasojë e huave të këqija. Është miratuar një ligj i ri për falimentimin, ndërkohë që janë amenduar ligji për regjistrimin e pasurive të patundshme, ai për sigurimin e padive dhe ai për përmbarimin privat me qëllim për të mbrojtur të drejtat e huadhënësve dhe forcimin e zbatimit të kolateraleve. Duke ecur më tej, rritja dhe elasticiteti i ekonomisë do të mbështeten më shumë duke forcuar bazat, duke nxitur besimin dhe mjedisin e biznesit, duke lehtësuar gradualisht kushtet financiare të vendit, po ashtu si dhe nga një mjedis i përmirësuar jashtë vendit. E rëndësishme është që autoritetet mbeten krejtësisht të angazhuara ndaj agjendës së tyre të reformave drejt një rritjeje të qëndrueshme dhe procesit të përputhshmërisë me Bashkimin Europian”, shkruan Rama , duke cituar raportin e Pier Carlo Padoan. /ATSH/