Protesta e qytetarëve duhet të lexohet me shumë kujdes

992

(Pjesë nga fjalimi i Koço Kokëdhima, kreu i Lëvizjes ZGJIDHJA drejtuar socialisteve të qytetit të Durrësit…)

 

Ironia qëndron në faktin se, në krye të luftës për zgjedhje të lira e të ndershme janë vënë Sali Berisha dhe Lulëzim Basha. Ata sot ndihen të kërcënuar nga një sistem zgjedhor i ndërtuar nga vetë Berisha dhe Rama. Kodi zgjedhor që kemi në fuqi është pikërisht ai që la Berisha përpara 3 vitesh e gjysëm. Lidershipi i Partisë Socialiste është përgjegjës edhe për faktin se gjatë këtij mandati nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i pastruar zgjedhjet e qershorit dhe për ta shëruar përfundimisht këtë kancer që nuk e lejon Shqipërinë që të ngrejë kokë.

Një lider i përgjegjshëm ka detyrimin që ta ndihmojë popullin të përparojë. Vendimtare dhe jetike për këtë është instalimi përfundimtar i zgjedhjeve të ndershme. Ideja se po bëjmë shtet shndërohet në demagogji në se përpjekjet për ngritjen e shtetit të së drejtës nuk bazohen mbi një sistem të sigurtë të zgjedhjeve të lira. Bërja e shtetit ligjor fillon nga reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore që garanton zgjedhje të paqortueshme, është mëma e të gjitha reformave. Zgjedhjet me standarde nuk janë përfitim për opozitën, por fitore e padiskutueshme për popullin dhe për Shqipërinë.
Ne nuk e paragjykojmë aksionin e opozitës për aq kohë sa protesta e saj mbetet paqësore. Unë jam i bindur se në manifestimin e 18 shkurtit ishin shumë qytetarë që nuk kërkojnë thjesht që të ikë Rama e të vijë Basha, as thjesht të ikë një palë e të vijë një palë tjetër. Protesta e atyre mijëra e mijëra qytetarëve shqiptarë duhet të lexohet me shumë kujdes. Një pjesë e madhe e tyre ndihen të zhgënjyer nga keqqeverisja, vuajtjet dhe mungesa e shpresës.

Gjithmonë kam besuar se cenimi i institucionit të zgjedhjeve të ndershme, është i barabartë me tradhëtinë ndaj interesave tona popullore, kombëtare dhe shtetërore. Asnjë vend tjetër në rajon dhe në Europë nuk është në këtë situatë, nuk diskuton zgjedhjet. Në Shqipëri, për shkak se nuk ka zgjedhje të lira, nuk ka  shtet ligjor. Këtu sundon partitokleptokracia.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: