Zgjedhjet e ndotura u shërbejnë vetëm dinosaurëve të partitokracisë

1042

(Nga fjala e Koço Kokëdhimës, kreut të Lëvizjes “ZGJIDHJA” me socialistët në qytetin e Durrësit)

Vjedhja, trafikimi dhe manipulimi i zgjedhjeve nuk u shërben as socialistëve dhe as demokratëve të thjeshtë, nuk u shërben qytetarëve të Shqipërisë. Qytetarët që luftojnë për zgjedhjet e lira, në fakt luftojnë kundër korrupsionit, kundër papunësisë, kundër varfërisë poshtëruese, kundër injorancës dhe prapambetjes. ZGJIDHJA lufton për zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është e mira e të gjithëve. Kjo është e mira e Shqipërisë.

 Zgjedhjet e ndotura u shërbejnë vetëm dinosaurëve të partitokracisë që sundojnë mbi popullin tonë të varfër. Ata kanë punuar për ta zhveshur këtë popull nga çdo e drejtë, kanë dashë t’ia vrasin besimin, t’ia ngordhin nervin dhe aftësinë për reagim, ta frikësojnë, ta manipulojnë, ta mposhtin, ta shkelin dhe ta vjedhin. Dhe ia kanë dalë.

 Kush vjedh, trafikon dhe manipulon votat, kush toleron fenomene të tilla nuk është socialist, nuk është demokrat, nuk është as shqiptar. Përkundrazi, me apo padashje, me apo pa vetëdije është një armik i egër e i pamëshirshëm i socialistëve, i demokratëve dhe i qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë. Prandaj ju them të gjithë votuesve anembanë vendit: Mos lejoni t’ju manipulojnë. Mos lejoni t’ju vjedhin. Mos e shisni votën tuaj. Mos e shisni fatin tuaj. Mos e shisni shpirtin tuaj. Mos e shisni dinjitetin tuaj. Mos e shisni të ardhmen e fëmijëve tuaj!

Shqipëria do të vazhdojë të zhytet edhe më keq në mjerim në se njerëzit do vazhdojnë të shesin votën. Ai që blen votën nuk e bën këtë për të mirën e qytetarëve dhe as për të mirën e partisë. Ata që blejnë vota janë kriminelë. Duan që përmes këtyre votave të blera të tjetërsojnë vullnetin e popullit, të zmadhojnë pushtetin abuziv të kryetarëve dhe të zgjedhin deputetë e zyrtarë të lartë të shtetit, njerëz të inkriminuar, servilë, të kapur e maskarenj.

Një person që e shet votën për 50 apo 100 euro do vazhdojë të jetojë edhe 4 vjet të tjera në varfëri, në skamje, i përbuzur, i papunë, i padëgjuar, i parespektuar. Sikur Shqipëria të jetë një vend demokratik, brenda 4 deri në 8 vite do e përmirësonte rrënjësisht ekonominë e saj dhe të ardhurat e familjeve të varfëra do rriteshin deri në 5 fish e në 10 fish nga sot. Sipas kësaj llogarie, i bie që ai që shet votën për të mbajtur në këmbë kastën e korruptuar sunduese, e shtyn edhe 4 vite kohën kur do fitonte të paktën 100 euro më shumë për çdo muaj.    

Të shesësh votën, është një e keqe e madhe që ja bën vehtes, familjes, të afërmve, miqve, fqinjve, dhe bashkëqytetarëve të tu. Është dashur që një qeveri e popullit të invesonte shumë edukim dhe masa të plota e të rrepta ligjore që do e ndanin përfundimisht shoqërinë shqiptare nga ky fenomen i shëmtuar. Asnjë përpjekje minimale, qoftë dhe për sy e faqe nuk bëri kjo qeveri, në këtë drejtim. Në kushtet e Shqipërisë është e domosdoshme që të kemi votim elektronik në QV, numërim elektronik dhe një administratë zgjedhore jopartiake. Si mund të vazhdohet akoma me një sistem të tillë ku dy partitë më të mëdha numurojnë votat e gjithë partive të tjera, pra numërojnë votat e konkurentëve të tyre.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: