Rama: “Drejtësia”, hapi i fundit drejt BE-së.

Lajme

DREJTESIA NE FOCUS

 

Focus NEWS /  Është mbledhur paraditen e sotme Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Në fjalimin e tij, kryetari Edi Rama e ka vënë theksin tek reforma në drejtësi, për të cilën tha se, “është kyçi i të gjitha dyerve, sepse pa të e gjithë përpjekja për t’u bërë shtet rrezikohet të ngelet në vend numëro”.

“Reforma ka sjellë një tensionim artificial që janë shprehje të sekëlldisë që ka shkaktuar reforma. Afatet fundore po afrohen, rrethi po ngushtohet dhe kjo reformë është hapi i fundit për të kapërcyer pragun e BE”, ka thënë Rama. Duke nënvizuar se, “kalimi i reformës përpara pushimeve të Parlamentit është kushti që BE të na hapë dyert e negociatave”, shefi i qeverisë ka shprehur gatishmërinë e mazhorancës për ta votuar atë në një kohë sa më të shkurtër.

“Reforma mund të kalojë edhe javën tjetër, sepse ne kemi qenë gati që në mars dhe jemi gati. Për ne reforma kalon në pak ditë. Jemi partia që kemi çliruar nga barra e taksave 97 për qind të shqiptarëve. Sot planifikojmë një rritje ekonomike 3.4 për qind, por mjafton të jemi mbi treshin, ka theksuar Rama.

Ai ka thënë se, në këto 3 vjet qeverisje janë realizuar ndërkohë një numër rekord reformash të tjera. “Kemi bërë më shumë reforma se asnjëherë më parë, në një kohë të shkurtër. Reformën territoriale-administrative, reformën fiskale, etj”, ka thënë Rama.

 

Ndër të tjera, Rama ka vlerësuar se, me kongresin e mbajtur dhe më pas me referendumin për mandatin e tij PS ka hyrë në një proces demokratik që do t’i shërbejë në të ardhmen

“Referendumi ishte një mjet i shkëlqyer demokratik, me një pjesëmarrje inkurajuese dhe motivuese. Ajo çka ka ndodhur në këtë periudhë të fundit është një motivacion jashtëzakonisht i fuqishëm për të ecur me vendosmëri përpara. Tani PS ka një mbështetje kaq të madhe e domethënëse dhe vullnet për t’u anëtarësuar në radhët e saj”. “Procesi i anëtarësimeve të reja nuk ka përfunduar, por me mbajtjen e kësaj asambleje anëtarësimi do të shtrihet në të gjithë vendin”, ka thënë Rama.