Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me drejtuesit e policisë, në kuadër të strategjisë antikanabis.
Kryeministri Rama deklaroi se nëse vazhdohet të zbatohet plani kombëtar, “në fund të sezonit do të mund të themi se ia dolëm t’i japim fund historisë së kultivimit të kanabisit”.
“Jemi të gjithë së bashku. Të dhënat janë shumë inkurajuese. Jemi përpara një situate të përmbysur nga pikëpamja e hartës së kultivimit. Baza e planit kombëtar është solide dhe zbatimi i përpiktë i kësaj baze në letër është shembull i qartë, që nëse do të vazhdojmë me këtë vendosmëri dhe ritëm, me siguri që në fund të sezonit do të mund të themi se ia dolëm ta përmbysim situatën dhe t’i japim fund historisë së kultivimit të kanabisit”, tha Rama.
“Dua të përgëzoj kapacitetin reagues të Policisë së Shtetit ndaj shfaqjes së çdo elementi pasiv ose të përfshirë në këtë fenomen brenda policisë”, tha Rama, duke inkurajuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtuesit e tjerë të Policisë, që të jenë të pamëshirshëm ndaj çdo elementi që shfaqet pasiv në mos njoftimin e menjëhershëm të fenomenit. Për të mos folur për ata elementë që janë të përfshirë”, shtoi Rama.
Patjetër, tha Kryeministri, “Është një luftë, e cila nuk mbyllet njësoj siç mund të mbyllet historia e një sëmundjeje pas një operacioni, por ajo që dua të bëjmë është që ta fshijmë përfundimisht njollën që i ka mbetur Shqipërisë nga kjo sëmundje disa vjeçare dhe pastaj ta luftojmë fenomenin aty ku mund të shfaqet në zona të margjinalizuara. E gjithë baza e të dhënave sot për kontrollet, asgjësimet dhe kryesorja që ka të bëjë me thelbin e planit me parandalimin, po ashtu dhe vënia në kërkim apo para përgjegjësisë e autorëve është shumë inkurajuaese. Ama duhet të jemi të qartë se kjo është një betejë që zhvillohet çdo ditë”, tha Rama.
“I jam shumë mirënjohës Guarda di Finanzës që mbetet një garanci për këtë operacion të përbashkët me dy qeverive. Mundësia për ta kthyer në të suksesshëm këtë operacion është në dorën tonë”, tha Rama.
“Shpresoj shumë që me këtë frymë bashkëpunimi dhe vendosmërie që na ka karakterizuar të vazhdohet intensivisht pa bërë asnjë lloj lëshimi, nga pikëpamja e intensitetit të veprimtarisë së çdo strukture të shtetit”, theksoi më tej kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama./m.m/