Vettingu, sfida e radhës në Kushtetuese

893

Nga Anila Struga  /

Ligji i vettingut, që pritet të nisë së shpejti nga zbatimi me konstituimin e organeve të rivlerësimit, do duhet të përballet sërish në gjykatë me ankimimin e radhës. Komuniteti i gjyqtarëve, që preket direkt nga zbatimi i këtij ligji, nuk dorëzohet dhe i është drejtuar përsë eri Gjykatës Kushtetuese me padinë e radhes, ku ankimon disa nene të tjera të ligjit, që konsiderohet dhe thelbi i reformës kushtetuese. Kjo është hera e tretë që trupa kushtetuese do të shqyrtojë një ankimim per vettingun, pas padisë së Partisë Demokratike dhe asaj të Unionit të Gjyqtarëve, të cilat u rrëzuan nga Gjykata, respektivisht në dhjetor 2016 dhe janar të këtij viti.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, krahas ankimimit për vettingun, kanë depozituar në fillim të këtij muaji dhe aktpadinë, ku kërkojnë shfuqizimin e disa neneve të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, dy nga ligjet më të rëndësishme të paketës mbështetëse për zbatimin e reformës në drejtësi.

Ankimimi në Kushtetuese shihet sërish si një përpjekje e njerëzve të drejtësisë për të shtyrë në kohë zbatimin mbi ta të vettingut, procesi që parashikon skanimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtim të pasurisë, integritetit moral dhe atij profesional.

Ndaj këtij lajmi reagoi mbrëmjen e së mërkurës dhe kryeministri Edi Rama, i cili e konsideroi padinë një goditje për vettingun, të cilit, gjyqtarët e korruptuar i tremben si ”djalli temjanit”, tha ai.
“Si ka mundësi që këta gjykatës që shkuan dhe më parë në Kushtetuese për të goditur një ligj të reformës në drejtësi, sot, si skutha, kur të gjithë njerëzit janë përqëndruar tek fushata apo të lehtësuar, kërkojnë ta godasin vettingun. Vettingu është tamam si temjani që tremb djallin dhe do ketë vazhdimisht përpjekje për ta bllokuar”, tha mes të tjerash Rama gjatë një interviste në emisionin “Studio e Hapur” në news 24.

Në kërkesën e tyre dy shoqatat e gjyqtarëve kërkojnë shfuqizimin e një numër nenesh të ligjit të vettingut, të cilat rregullojnë kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve përsa i përket lidhjeve dhe përfshirjes së tyre me krimin e organizuar.

Ata kundërshtojnë shtrirjen e kontrolleve në kohë, për lidhje të mundshme midis gjyqtarëve, prokurorëve dhe pjesëtarëve të krimit të organizuar, duke filluar nga 1 janari 2012, si në tejkalimin e normave kushtetuese.

Një parashikim tjetër i ligjit që kundërshtohet nga shoqatat si jokushtetues ka të bëjë me kontaktet që mund të kenë pasur me krimin e organizuar persona të lidhur me gjyqtarë dhe prokurorë.

Padia në mënyrë të veçantë kundërshton dhe mënyrën se si do të bëhet kontrolli i pastërtisë së figurës dhe provat që do të vlerësohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi dhe Kolegji i Apelimit.

Shoqatat e gjyqtarëve vlerësojnë se parashikimet e ligjit të vettingut mbi mënyrën si do të sigurohen dhe administrohen provat nga “grupi i kontrollit” gjatë procedurës së rivlerësimit kalimtar shkon përtej Kushtetutës.

Shoqatat kundërshtojnë administrimin si provë gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të dëshmive të dhëna nga dëshmitarë të mbrojtur të prokurorisë, ku mund të flitet për lidhjet e tyre me krimin e organizuar. Ato gjithashtu kundërshtojnë përdorimin si provë në procesin e rivlerësimit të informacioneve konfindenciale, si përgjimet telefonike parandaluese të bëra nga agjenci ligj zbatuese dhe informacioneve të dhëna nga oficerë dhe agjentë të policisë gjyqësore.

Një tjetër nën i kontestuar i ligjit të vetingut ka të bëjë me të drejtën e gjyqtarit dhe prokurorit për të dhënë dorëheqjen gjatë procesit të rivlerësimit të integritetit të figurës, që sjell si rrjedhojë ndërprerjen e kontrollit. Ligji ka parashikuar që gjyqtarët dhe prokurorët mund ta ushtrojnë këtë të drejtë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e tij. Sipas shoqatave, ky përcaktim është jokushtetues dhe subjektet duhet të kenë të drejtë të japin dorëheqjen dhe, si rrjedhim, ta ndërpresin kontrollin gjatë gjithë procesit të vetingut.

Janë rreth 800 zyrtarë të sistemit të drejtësisë’, të të gjitha niveleve, që pritet të kalojnë ‘testin’ e verifikimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Subjektet e para që do t’i nënshtrohen Vetting-ut janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ata të Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm.

Ligji i vettingut, që përbën dhe thelbin e reformës në drejtësi, u miratua nga Kuvendi më 30 gusht 2016, pa pëlqimin e opozitës së djathtë. Më 5 tetor ajo e ankimoi ligjin në Gjykatë Kushtetuese duke e konsideruar ‘antikushtetues’.

Më 25 tetor Kushtetuesja la ne fuqi pezullimin e ligjit dhe ju drejtua Komisionit të Venecias për të marrë një opinion. Në përgjigjen e këtij organi më 10 dhjetor theksohej se dispozitat e ligjit nuk shkelin nenet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe as nuk shfaqin probleme për çështjet e ngritura nga Gjykata shqiptare. Me 22 dhjetor Kushtetuesja me 6 vota kundër dhe 2 vota pro e rrëzoi kërkesen e opozitës, duke lënë në fuqi ligjin në fjalë.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: