Rama i përgjigjet Holandës: Krimi nuk ka nacionalitet, propagandë si Brexit

Aktualitet

Kryeministri Edi Rama i konsideroi si të qëllimshme dhe me agjenda të caktuara raportet e mediave holandeze për kriminalitetin shqiptar, duke theksuar se kriminelët i përkasin të gjitha pasaportave dhe nuk kanë nacionalitet. Rama tha se propaganda bëhet për qëllime politike.

Rama tha se e njëjta propagandë u bë edhe në Britani për daljen e vendit nga Bashkimin Evropian, duke theksuar se atje ka 700 polakë dhe vetëm 65 mijë shtetas nga Ballkani.

RamaNe nuk kemi asnjë problem as me Holandën dhe as me një shtet tjetër. Unë flas për mënyrën se si në media apo përmes zërave që kanë agjendën e tyre në vendet e Bashkimit Evropian, targetohen të ardhurit nga vendet e tjera dhe targetohen edhe shqiptarët.

Në momentin kur në një vend, një etni lidhet me kriminalitetin kjo për mua është e papranueshme. Nëse ka kriminelë në Evropë, ata kanë të gjitha pasaportat e mundshme, por identifikimi dhe propagandimi i etnisë së kriminelëve nuk ka lidhje me Evropën që kemi dhe Evropën që duam. Ka lidhje vetëm me agjenda politike në një Evropë që kalon turbullira në raport me të ardhmen e vet.

Janë 700 mijë polakë në Britani dhe janë vetëm 65 mijë njerëz nga gjithë Ballkani dhe për të propaganduar nevojën e daljes nga Evropa u përdorën shqiptarët dhe ballkanasit si propagandë. Kjo nuk ka lidhje me realitetin e gjërave.

Në realitetin e gjërave ka një problem shqetësues që lidhet me faktin që qytetarët e këtij rajoni dhe ata të Shqipërisë nuk kanë asnjë shans të marrin azil politik në Evropë. Është thjesht rënie në rrjetën kriminale të njerëzve që kërkojnë një jetë më të mirë.