Raporti i Oxfam për pabarazinë/ Shqipëria si Nigeria. Qeveria punon për të pasurit

Aktualitet Kryesore

Oxfam, një nga institutet me prestigjose në botë për kërkimet ekonomike e ka renditur qeverinë shqiptare si qeverinë e katërt më të keqe të botës në luftën kundër pabarazisë.

Syri.net publikon raportin, në të cilin Oxfam krahason qeveritë e 154 vendeve të botës sipas angazhimit të tyre për të luftuar pabarazinë.

Qeveria shqiptare renditet në zonën e turpit, krahas vendeve si Nigeria, Bahreini dhe Mianmari. Këto janë vende, pasuria e të cilave zotërohet nga një grusht i vogël njerëzish dhe ku qeveritë, jo vetëm që nuk bëjnë asgjë për të luftuar pabarazinë, por me politikat e tyre favorizojnë oligarkët.

Sipas raportit, në vendin e parë si qeveria më e angazhuar  dhe më e suksesshme në luftën kundër pabarazisë renditet ajo e Suedisë. Në dhjetë vendet e para figurojnë vetëm vendet e Europës Perëndimore, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Austrinë.

Ndërsa në 10-teshen e fundit të tabelës, përveç qeverisë shqiptare qëndrojnë ajo e Nigerisë, Tongës, Buthanit, Panamasë etj.

Renditja e përpiluar

Renditja e përpiluar nga Oxfam bazohet në tre kolona. Ato janë politikat e qeverive për sektorët kyç, politikat tatimore se dhe politikat e tregut të punës për të luftuar pabarazinë.

Kollona e parë vlerëson shpenzimet e qeverisë në sektorët e arsimit, shëndetësisë si dhe transfertat për të varfrit. Oxfam nuk vlerëson vetëm sasinë e shpenzimeve, por edhe se kush përfiton ato.

Veçanërisht vitet e fundit, një pjesë e madhe e shpenzimeve publike në shëndetësi kanë shkuar drejtpërdrejtë për një grusht kompanish koncesionare të lidhura me qeverinë, ndërkohë që shërbimi publik mjekësor mbetet në gjendje dramatike.

Veç shpenzimeve, Oxfam vlerëson se qeveria shqiptare favorizon pabarazinë edhe me politikën e taksave, pasi takson më shumë të varfrit se sa të pasurit, ndërkohë që vendi ka një renditje më të mirë në politikat e tregut të punës.

Qeveria shqiptare është akuzuar gjerësisht si një qeveri në shërbim të një grushti të ngushtë oligarkësh. Por nëse deri më sot akuzat kanë ardhur kryesisht  nga lufta e brendshme politike, tashmë ato konfirmohen ndërkombëtarisht, nga një prej institucioneve me prestigjioze në fushën e ekonomisë.