Raporti i fundit i Save the Children mbi “Situatën e Nënave në Botë, Disavantazhi Urban” e rendit Shqipërinë të 82-tën në 179 vende në botë, duke u përmirësuar me një shkallë nga raporti i një viti më parë. Shkalla e vdekshmërisë për fëmijët nën moshën 5 vjeç është më e lartë në Shqipëri, Rumani dhe Bullgari në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Shqipëria, krahasuar me të gjitha vendet e Gadishullit Ballkanik, vazhdon të ketë shkallën më të lartë të vdekshmërisë për fëmijët nën moshën 5 vjeç; respektivisht kjo shkallë është 14.9 vdekje për 1.000 lindje te gjalla.
Të gjitha vendet e tjera në rajon kanë shkallë më poshtë se 12 vdekje për 1.000 lindje të gjalla.
Save the Children i bën thirrje të gjithë autoriteteve qeveritare dhe bashkiake për të vënë në krye të axhendave të tyre nevojat shëndetësore të nënave dhe fëmijëve dhe të bëjnë realitet një kujdes shëndetësor cilësor dhe universal për të gjithë femijët. Mbijetesa e fëmijëve që jetojnë në qytete nuk duhet të jetë një privilegj vetëm për të pasurit, por duhet garantuar për të gjithë femijët.
Gjetjet më specifike për Shqipërinë janë:
- Niveli i rrezikut të vdekshmërisë së nënave, gjatë shtatëzënisë apo lindjes është 1 në 2.800.
- Vdekshmëria e fëmijëve për grupmoshën nën 5 vjeç është 14.9 fëmijë për 1.000 lindje të gjalla.
- Pritshmëria për mesataren e viteve të shkollimit për fëmijët është vetëm 10.8 vite shkollimi formal; kjo e rendit Shqipërinë në vendin e 119 (nga 178 vende) në botë në aspektin e arritjeve arsimore.
Krahasuar me fëmijët në vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Shtetet e Pavarura të Komonwelth-it, fëmijët shqiptarë kryejnë më pak vite shkollimi se fëmijët në të gjithë rajonin.
- Shqipëria renditet më mirë se në vitin e kaluar për pjesëmarrjen e grave në qeveri; në Treguesin e Nënave ajo renditet e 106.
Raporti i Save the Children “Situata e Nënave në Botë, Disavantazhi Urban vlerëson për herë të parë dallimet e mëdha që ekzistojnë në zonat urbane të vendeve në zhvillim mbi shkallën e vdekshmërisë së fëmijëve nën 5 vjeç dhe mbulimin me kujdes shëndetësor të fëmijëve të pasur dhe të varfër.
“Për herë të parë në histori, më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në zonat urbane. Njerëzit janë tërhequr shpesh në qytete nga perspektiva e një jete më të mirë për fëmijët e tyre, por shumë qytete në mbarë botën nuk kanë mundësi t’ju ofrojnë miliona nënave dhe fëmijëve në qytete akses në shërbimet bazë shëndetësore dhe ujë të pijshëm, të domosdoshëm për të mbijetuar dhe për të qenë të shëndetshëm”, thotë Jasmine Whitbread, Drejtore Ekzekutive e Save the Children.
Dhjetë vendet që tregojnë ndryshimin më të madh të mbijetesës ndërmjet fëmijëve të pasur dhe të varfër të zonave urbane janë: Ruanda, Kamboxhia, Kenia, Vietnami, Peru, Indi, Madagaskar, Gana, Bangladeshi dhe Niger. Në terma relativ, hendeku i mbijetesës është pothuajse dyfishuar në qytete të Kenias, Ruandës dhe Malauit, pavarësisht suksesit të përgjithshëm të këtyre vendeve për të shpëtuar më shumë jetë fëmijësh.