Rritja e pagave për deputetët dhe ministrat, Begaj: Ligji u votua me shumicë, mora ditët që më ka dhënë Kushtetuta

Politika

Presidenti Bajram Begaj është pyetur ditën e sotme lidhur me rritjen e pagave për deputetët dhe ministrat.

Ai është shprehur se ka dhënë dakordësinë e tij, duke shtuar se për këtë vendim ka marrë të gjithë kohën e nevojshme për ta vlerësuar si duhet me ekspertët e fushës përkatëse.

“Në fakt nuk shkon me frymën e kësaj konference. Presidenti në fakt zbaton kushtetutën dhe ligjet e vendit. Dua të sqaroj që nuk ishte një vendim i deputetëve, ishte një ligj i votuar me shumicë dhe konsensus. Ligji në fjalë bëhet për të rregulluar piramidën e pagave në vend, në administratën e lartë publike dhe pagat e magjistratëve. Ligji studiohet, vlerësohet nga deputetët. Presidenti ka dhënë pëlqimin paraprak që ligji të hyjë në fuqi pas dekretimit por jo përmbajtjen e ligjit. Presidenti ka marrë kohën e vet në momentin që erdhi. Kam marrë ditët që më ka dhënë kushtetuta për ta vlerësuar si duhet ligjin nga ekspertët e ekonomisë. Nuk është dhënë miratimi paraprak për ligjin. Është dhënë dakordësia për hyrjen në fuqi të ligjit në momentin e dekretimit”,
ka thënë ndër të tjera Begaj.