Alma Çuka
Albana Muhaxhiri e dënuar me 9 vite burg dhe Yllka Metushi me 12 vite, janë nga Lushnja. Njëra jeton në qytet dhe Metushi në fshatin Ngurrëz e Vogël. U vunë në pranga në vitin 2013-të, pas denoncimit që bëri në polici mbesa e Albana Muhaxhirit, I.Muhaxhiri. Ato tashmë ndodhen duke vuajtur dënimin në burgun 325 Tiranë. Janë gjatë gjithë kohës me njëra-tjetrën. Ndërsa denoncuesja, ndodhet ngjitur me godinën e tyre, bashkë me shumë vajza dhe gra të tjera që presin të dalin në gjyq. Ne i takuam këto gra dhe folëm lidhur me historinë për të cilën ndodhen aty. E ndërsa Muhaxhiri pranon se ka pasur një konflikt me mbesën dhe pretendon se ai ka qenë edhe shkaku i denoncimit të saj dhe më pas burgosjes, Metushi është më e drejtpërdrejtë. Ajo rrëfen se si padashur u gjend në mesin e këtyre akuzave, ku u njoh me vajzat e mitura dhe çfarë përfitoi prej tyre. Tregon për peripecitë që hoqi pasi u arrestua, divorcin me bashkëshortin dhe tashmë braktisjen nga dy fëmijët, të cilët ndodhen jashtë vendit. Nga ana tjetër halla e vajzës që e denoncoi nuk ndihet mirë në burg për aq kohë sa në një tjetër institucion të vuajtjes së dënimit ndodhet djali i saj duke vuajtur dënimin për një tjetër vepër penale. Thotë gjithashtu se ndihet keq edhe për faktin se në shtëpi ka lënë nënën e moshuar pa asnjë përkrahje. Por si nisi historia e prostitucionit në qytetin e Lushnjës mes dy grave dhe si vazhdoi për pesë muaj me radhë? Pse mbesa e denoncoi hallën dhe ku ndodhen sot vajzat e tjera të shfrytëzuara? Të gjitha këtyre pyetjeve i japin përgjigje dy gratë e dënuara për të njëjtin objekt, “ shfrytëzimin e prostitucionit” ndaj katër vajzave të mitura.
Albana sa vjeçe je, përse jeni dënuar dhe sa?
Unë jam 47 vjeçe. Jam nga Lushnja dhe jam shpallur fajtore se kam shfrytëzuar për prostitucion mbesën time minorene, në atë kohë vetëm 16 vjeçe. Unë nuk e kam pranuar asnjëherë akuzën. Megjithatë gjykata nuk mori parasysh asnjë nga deklaratat e mia në sallën e gjyqit, madje as tërheqjen e deklaratës që bëri mbesa ime. Është një histori pak e ngatërruar.
Mund të na e tregoni se çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
Unë në atë kohë njihesha me Yllkën, një shoqen time (e ka fjalën për Yllka Metushin). E kisha takuar teksa shisja rroba të përdorura. Aty ishte dhe mbesa ime. Unë kam biseduar me të dhe ajo më pas u njoh edhe me mbesën time. Kisha marrë një lokal me qira. Aty rrinim të gjitha pasi shisnim rrobat. E them edhe një herë, unë punoja gjatë gjithë kohës sa tek rrobat ashtu edhe te lokali që mora me qira. Nuk kisha lekë për të ngrënë bukë e jo më të futesha e të merresha me prostitucion.
Kush mendon se ta bëri të keqen dhe përse?
Ishte një hakmarrje e mbesës sime. Ajo u zu me mua dhe më pas më denoncoi. Një ditë mbesa u njoh me një djalë dhe pastaj iku në Durrës. Pasi u kthye ajo më tha se isha unë që e kisha futur në rrugën e prostitucionit. Por e vërteta është se mbesa ime së bashku me disa vajza të tjera mbanin lidhje me Yllkën e cila ishte kthyer në tutore.
Ju jeni së bashku me Yllkën këtu në burg. Thoni se është ajo përgjegjëse. Keni pasur mosmarrëveshje gjatë kësaj kohe, pra që nga momenti i arrestimit deri tani?
Po është e vërtetë. Ne jemi të dyja këtu në burg dhe të them të drejtën nuk kemi pasur asnjë mosmarrëveshje. Kemi diskutuar disa herë për atë kohë. Por Yllka të flet vet për pjesën e saj.
Po me mbesën që ndodhet në paraburgim, a ke kontaktuar? The se është tërhequr pse drejtësia sipas teje nuk e mori parasysh deklaratë e saj?
Mbesa ndodhet në burg për akuzën e “ushtrimit të prostitucionit”. Ajo ishte futur në atë rrugë. Edhe pasi na denoncoi ne, ajo sërish vazhdonte të shkonte. I vetmi gabim që unë bërë, është se e njoha me një djalë me të cilin më pas u fejua dhe u nda. Ina e tërhoqi denoncimin, por gjykata nuk e mori parasysh, pasi në grup ishin edhe katër vajza të tjera të mitura të cilat thanë të njëjtën gjë. Nuk e di se kush i kishte mësuar. Por unë sot di të them se nuk kam lidhje me prostitucionin. Nuk kam arritur të kontaktoj me mbesën pasi nuk më lejohet.
Me familjen si janë marrëdhëniet?
Eh…Unë kam një familje me halle. Djalin e kam në burg për vjedhje. E kanë kapur me disa hekurishte dhe e kanë futur në burg. Nënën e kam të paralizuar dhe për të s’ka kush të kujdeset. Është e vetme në shtëpi. Për të mos thënë për banesë pastaj që nuk kam fare, një të rrënuar. Kam kërkuar të takohem me djalin, por vetëm në telefon kam mundur të flasë.
—–
Pas Albanës është Yllka ajo që flet për jetën e saj jashtë dhe brenda qelisë së burgut. Divorcin me bashkëshortin, pas arrestimit dhe braktisjen nga dy vajzat e saj që tashmë ndodhen jashtë shtetit. Ato kanë të njëjtën histori, pavarësisht se njëra është dënuar më shumë se tjetra.
Sa vjeçe jeni dhe sa jeni dënuar?
Jam 48 vjeç. Pasi u arrestova u deklarova fajtore dhe në vitin 2015, u dënova me 12 vite burg për “shfrytëzim prostitucioni”. Tani ndodhem këtu deri sa të mbaroj dënimin.
Si jeni njohur me Albana Muhaxhirin, kush ju denoncoi dhe pse?
Jam njohur në tregun e rrobave të përdorura në Lushnjë. Unë jam nga Ngurrëza e Vogël dhe shkoja shpesh atje. Albana mbante me vete edhe mbesën e saj të vogël. Ishte një vajzë rreth 16 vjeçe. U arrestova pasi u kap në një hotel I.Muhaxheri, mbesa e Albanës. Ajo më nxori emrin dhe mua dhe shoqes sime.
Përse ?
Në telefonin e saj, policia gjeti të shënuar numrin tim. Por edhe kur u mor në pyetje vajza kishte thënë se isha unë me hallën e saj që e kisha futur në rrjetin e prostitucionit, pra i gjeja klient. Unë s’kisha ç’të bëja. U gjenda në këtë mes dhe e pranova fatin. Pasi bëri denoncimin në polici, vajza më pas e tërhoqi atë. Kjo gjë nuk më ndihmoi as mua e as Albanën. Kam mësuar tashmë që edhe vajza ndodhet në burg. Ajo e kishte vazhduar aktivitetin e prostitucionit edhe pas arrestimit tonë. Por pas dënimit unë ndihem e rrënuar krejtësisht.
Çdo të thuash me këtë?
Kam mbetur e vetme. Burri më braktisi. Ai u divorcua prej meje pasi u arrestova. Ndërsa dy vajzat janë larguar jashtë shtetit. Këtu nuk më vjen asnjë për të vizituar. Ndihem me të vërtetë shumë keq. Se kisha menduar një fund të tillë pas gjithë atyre viteve martesë me burrin.
Ju thoni se e pranuat. Mund të na tregoni se si i gjenit klientët për vajzat e mitura dhe sa fitonit?
Po ç’të të them. Unë rrija shumë në Lushnjë dhe aty tek tregu i rrobave të përdorura kisha krijuar dhe lidhjet. Kishte djem që kërkonin vajza të mitura për të kryer marrëdhënie. Ato shkonin me dëshirë jo se i çonim ne me forcë. Shkonin nëpër hotele të ndryshme dhe me çmime të arsyeshme. Nuk fitonim shumë, pasi paratë ndaheshin.
Është e vërtetë se jeni etiketuar si gruaja që drejtonte rrjetin e prostitucionit?
Nuk e di se kush e ka vënë këtë emër. Unë nuk do e quaja rrjet. Ishin vetëm katër vajza që punonin nëpër hotele të ndryshme. Ndoshta ato kanë thënë se i drejtoja unë. Por, nuk isha vetëm. Megjithatë kjo tashmë nuk ka rëndësi. Ne u dënuam për një vepër të rëndë, të cilën nuk e dinim se si do përfundonte kur e filluam. Vetëm pesë muaj punuan vajzat nëpër hotele. Dikush spiunoj dhe njëra prej tyre u arrestua. Të tjerat u kapën më pas. Të gjithë grupin e nxori I. Muhaxheri, mbesa e Albana Muhaxherit.
Çfarë bëni gjatë ditës në burg?
Asgjë të veçantë. Merremi me punë dore, pimë kafe me njëra-tjetrën, flasim për hallet. Kur ka aktivitetet mundohemi të heqim pak vëmendjen nga hallet që kemi.
Shpreson se vajzat do të vijnë për të takuar?
(Ngre shpatullat). Se di të them të drejtën. Ato janë jashtë vendit dhe se besoj se do të kthehen. Pastaj kanë ndikimin edhe të burrit tim, i cili kërkoi divorcin menjëherë pas arrestimit.
The se e ke pranuar këtë fat, pra po vuan dënimin. Do bësh ndonjë përpjekje për të ulur dënimin ?
Aktualisht e kam dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Gjatë gjykimit janë shkelur disa të drejta dhe unë dua që të jem më e qartë për këtë çështje. Nuk di të them nëse do të më ndihmojë, ose jo dërgimi i dosjes atje, por shpresoj. Jam dënuar me 12 vite dhe për mua janë shumë. Unë kam pas vetëm njohje me to dhe nuk është se kam përfituar nga shfrytëzimi i prostitucionit, ashtu sikundër u tha nga prokuroria gjatë hetimeve dhe në proces gjyqësor.
Zbulimi i grupit dhe arrestimi i dy grave
Katër vite më parë Albana Muhaxhiri dhe Yllka Metushi u arrestuan se shfrytëzuan për prostitucion katër vajza të mitura për pesë muaj me radhë. Ato u cilësuan si tutoret e këtyre vajzave të moshës nga 15 e 16 vjeçe. Prokuroria tha se kishin rënë pre e mashtrimeve dhe dhunës psikologjike. I dërgonin nëpër hotele të ndryshme të qytetit. Në atë kohë policia arrestoi edhe dy prej klientëve, të cilët më pas u lanë të lirë. Dy tutoret ishin vënë në survejim prej disa javësh nga oficerët e seksionit të antitrafiqeve. Pavarësisht atyre që ato tashmë deklarojnë, policia në atë kohë tha se u kapën në një prej hoteleve, teksa ishin duke marrë paratë nga dy prej klientëve. Policia u gjeti me vete përkatësisht 5 mijë e 10 mijë lekë të reja secilës, para që ishin paguar nga klientët. Ndonëse ato kanë mohuar që paratë t’i kishin marrë për një qëllim të tillë, policia i tha prokurorisë se kishte arritur të siguronte prova të mjaftueshme. Dy tutoret i prezantonin klientëve të ndryshëm, vajza të mitura dhe më pas prej tyre përfitonin të ardhura monetare. Dy tutoret në atë kohë kishin punuar si kameriere në disa bare dhe kishin krijuar njohje të gjerë me persona të ndryshëm të të gjithë kategorive e moshave. Duke qenë të varfra ekonomikisht, gratë lushnjare tentuan të pasuroheshin duke shfrytëzuar vajza të mitura për prostitucion. Fillimisht, ato kishin rekrutuar një vajzë 15-vjeçare e më pas edhe tre të tjera të po kësaj moshe, të cilat kishin njohje me njëra-tjetrën. Nga dëshmitë e dhëna prej vajzave të mitura, oficerët e policisë mësuan se dy tutoret e sipërpërmendura i kanë futur në kurth. Duke i joshur me premtime për sigurimin e të ardhurave financiare pa shumë mundime, ato i kanë prezantuar fillimisht me disa djem dhe u kanë bërë foto. Më pas i kanë shantazhuar dhe u kanë thënë se tashmë duhej t’u bindeshin, ose në të kundërt prindërit e tyre do të mësonin për lidhjet intime që kishin pasur me djem të ndryshëm. Në këto kushte, të miturat u janë bindur tutoreve të tyre dhe kanë pranuar që të jenë të disponueshme të kryenin marrëdhënie seksuale të herëpashershme me persona të ndryshëm në disa hotele të qytetit të Lushnjës. Nga deklarimet e të miturave është mësuar se dy gratë i kanë detyruar që të kryejnë marrëdhënie seksuale edhe me meshkuj të moshave më të mëdha. Ndërkohë, ato nuk kanë ditur se sa para siguronin tutoret e tyre, por u jepeshin pagesa të ndryshme për raste të ndryshme. Ishin tutoret ato që gjenin klientët dhe më pas i prezantonin me vajzat. Pasi binin dakord për pagesat, ato detyronin vajzat të futeshin në hotele, edhe me forcë. Ndërsa pronarët e hoteleve ku është kryer ky aktivitet kanë pohuar se nuk kanë pasur dijeni mbi këtë veprimtari të paligjshme, por kanë sqaruar se gati çdo ditë, aty shkonin çifte të ndryshme. Dyshohet se tutoret i këshillonin klientët që të frekuentonin hotele të ndryshme, me qëllim që të mos binin shpesh në sy vajzat e mitura, të cilat ishin përherë të njëjtat. Vajzat para prokurorëve dhe gjykatës u pyetën në seanca të veçanta. Ato pranuan se kishin punuar për dy gratë e dënuara për rreth pesë muaj. Merrnin nga puna një shumë fare të vogël parash që fitonin nga klient të ndryshëm. Ndërkohë pjesa më e madhe ndahej mes grave, të cilat nga njëra anë shisnin rroba në treg dhe nga ana tjetër kishin ngritur një grup të mirë organizuar për të fituar nga prostitucioni me vajzat e mitura.