Shpërthen Ermir Lenjani: Me lot në sy, i them JO Panuçit. Nuk vij më sa të jetë ai aty!

Futboll Sporti

Futbollisti i Kombëtares, Ermir Lenjani, ka reaguar ditën e sotme në rrjetet sociale, për vendimet e trajnerit Panuçi.

Anësori i majtë që aktivizohet tek Sioni në Zvicër, u la pa ftesë për ndeshjet e muajit mars ndaj Turqisë dhe Andorës, ndërkohë që siç shkruan vetë lojtari, është thirrur nga trajneri pas lëndimit të 3 elementëve ditën e parë të grumbullimit.

Në një shkrim në rrjetet sociale, Lenjani shprehet se, me lot në sy, ka vendosur të mos e pranojë ftesën, tani që Panuçi u kujtua për të, e se nuk do të grumbullohet më me Kombëtaren, sa të jetë Panuçi aty.

POSTIMI I ERMIR LENJANIT

Që nga viti 2013 jam pjesë e Kombëtares shqiptare dhe ndihem krenar për këtë gjë. Saherë jam ftuar e kam pranuar ftesën me dëshirën më të madhe pasi çdo herë kur e kam veshur fanellën kuq e zi e kam veshur me shumë dashuri. Kam qenë gati gjithmonë, kam sakrifikuar shumë, jam gjakosur, kam qarë e kam qeshur si futbollist i Shqipërisë. Kam pranuar edhe stolin, por jam respektuar gjithmonë. Tani në dy vitet e fundit jam duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë, por po injorohem nga trajneri momental i Kombëtares. Nuk kam luajtur asnjë minut në Ligën e Kombeve, por nuk kam bërë zhurmë dhe kam vazhduar të punoj edhe më fort. Kur lëndohen 4-5 lojtarë trajnerit i bie në mend që luan dikund Ermir Lenjani dhe më dërgon ftesë. Faleminderit, por JO. Me lot në sy e them se nuk do të grumbullohem më me Kombëtaren sa të jesh ti aty. Kam kontribuar shumë dhe meritoj respekt. Dashuria ime për Shqipërinë është më e madhe se urrejtja jote për mua. Unë kam qenë, jam dhe gjithmonë do të jem djal i Shqipërisë, ndërsa ti je vetëm kalimtar.

123

Panorama Sport