“Këtë nuk kemi për ta harruar”.
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, iu kthye kërcënimeve në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku me një shumicë dërrmuese votash u miratua rezoluta kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-ja.
Me këtë akt kolektiv sfide, asambleja injoroi kështu hapur paralajmërimet e administratës së Trumpit se kombeve që do t’i dilnin kundër, do t’iu ndërpritej ndihma financiare. Haley u kujdes të kujtonte dhe një herë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta harrojnë këtë ditë në të cilën, siç tha ajo, u veçuan për t’u sulmuar për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës së tyre si vend sovran.
“Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, më i madhi në botë; do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, shtoi ambasadorja.
Por, ministri i Jashtëm palestinez, Riyad al-Maliki e pati më herët një përgjigjje edhe për këtë paralajmërim. Historia është ajo që regjistron emrat, u shpreh ai, emrat e atyre që i qëndrojnë asaj çfarë është e drejtë dhe të atyre që flasin gënjeshtra. Sot ne jemi kërkues të të drejtave dhe të paqes, vazhdoi ministri. Në mbyllje të votimit në OKB, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan. Shqipëria votoi pro saj. Mes votave në favor të rezolutës dhe kundër SHBA u rreshtua elita europiane, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Menjëherë pas votimit, Ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme, shpjegoi votën e saj pro rezolutës. “Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit të saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ky qëndrim u përforcua edhe nga ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare në një prononcim për Top Channel përmes telefonit: “Vota jonë pro rezolutës nuk ishte kurrsesi votë kundër Amerikës. Ne kemi votuar me shumicën dërrmuese të vendeve të BE-së. Qëndrimi jonë është parimor për këtë çështje”.