Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara (UNODC), bëri të ditur së fundmi se Shqipëria është vendi që ka prevalencën vjetore më të lartë të përdorimit të kokainës në botë, me 2.5% të popullsisë nga mosha 15-64 vjeç.
Pas Shqipërisë, përdorimin më të larë të kokainës e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një prevalencë prej 2.3%. Më pas renditen shtetet e Mbretërisë së Bashkuar (Skocia 2.34%, Anglia dhe Uellsi 2.25%. Spanja është e treta në Europë, me prevalencë 2.2%. Nga shtetet e tjera në botë ka një përdorim të lartë të kokainës në Australi (2.1%), Uruguai (1.8%), Kili (1.73%). Interesant është që Kolumbia, një nga prodhuesit më të mëdhenj, ka një prevalencë të ulët prej 0.7%.
UNODC i referohej të dhënave zyrtare që i ishin raportuar nga Instituti i Shëndetit Publik për vitin 2014 (shiko hartën më poshtë).
Instituti i Shëndetit Publik ka përditësuar tashmë të dhënat për vitin 2015, ku rezulton se tendenca e përdorimit të kokainës ka një rritje të ndjeshme në vetëm 1 vit, duke u shkëputur dukshëm nga shtetet pas nesh në renditje.
Prevalenca gjatë jetës e kokainës për Shqipërinë, nga të dhënat e mbledhura në “Studimin Europian mbi Përdorimin e Alkoolit dhe Drogave”, ishte 3.7% për popullsinë e grup-moshës 15-64 vjeç, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, të bëra të ditura për Monitor. Në vetëm një vit, prevalenca e përdorimit është rritur me 1.2 pikë përqindje, ndërsa në krahasim me vitin 2011 është rritur me 2.1 pikë përqindjeje.
Në vlerë absolute, bazuar në përqindjen e përdoruesve dhe të dhënat e popullsisë, numri i përdoruesve gjatë jetës të kokainës u rrit në 2015-n me 48%, krahasuar me të dhënat e një viti më parë, për grupmoshën nga 15-64 vjeç.
Të dhënat e vitit 2015, të vëna në dispozicion për “Monitor” në gusht të këtij viti, nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se ka një rritje të prevalencës gjatë jetës për pothuajse të gjitha drogat ilegale.
Rritje të prevalencës gjatë jetës kanë njohur edhe drogat e tjera të forta, si heroina, ku gjatë 2015-s prevalenca ishte 1.7%, nga 0.7% në 2011-n.
Në total, sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga Instituti i Shëndetit Publik prevalenca gjatë jetës e të gjitha drogave ilegale ishte 15.3%, nga 13.3% në 2011-n.
Pse po rritet përdorimi
Rritja e përdorimit të drogave më të forta lidhet me shtimin vitet e fundit të konsumit të kanabisit, që është faza primare drejt kalimit drejt narkotikëve të tjerë, si kokaina, ose heroina, me çmimet e ulëta, por edhe me lehtësinë e gjetjes së këtyre produkteve.
Të rinjtë pjesa më e rrezikuar
Sipas të dhënave nga sondazhi i fundit i Institutit të Shëndetit Publik 11.7% e grup moshës 15 deri në 34 vjeç kanë provuar të paktën një herë në jetë kanabis dhe 4.7% kokainën.
Të dhënat janë edhe më shqetësuese për të rinjtë, që kanë raportuar përdorim të kanabisit dhe kokainës të paktën një herë në muaj. Shëndeti Publik ka raportuar se prevalenca e përdorueseve të cilët kishin provuar kanabis në muajin e fundit është 4.1%, ndërsa e kokainës 1.4%.
Statistikat tregojnë se përqindja e madhe e personave që janë në trajtim me metadon (substancë që përdorët për trajtimin e varësisë nga heroina), drogën e parë të eksperimentit kanë pasur hashashin dhe më pas kanë kaluar në përdorimin e drogave të tjera më të rënda si kokaina dhe heroina.
Ervin Toçi, ekspert në Institutin e Shëndetit Publik dhe koordinator për Shqipërinë në Qendrën Europiane për Monitorim e Drogave dhe Varësisë nga Droga (EMCDDA) thotë se grupi më i brishtë për përdorimin e drogave të jashtëligjshme është grupmosha 15-34 vjeç.
Sqarim: Me prevalencë gjatë jetës kuptohet pjesa e popullsisë që në një pikë gjatë jetës së tyre (deri në momentin e deklarimit) kanë provuar (përjetuar) diçka. Të dhënat për prevalencën e përdorimit të drogave për të gjithë popullsinë janë mbledhur me anë të anketave, ku grupet kanë mbledhur të dhëna nga terreni. Ndërsa prevalenca e përdorimit te të rinjtë është mbledhur me anë të anketave në shkolla.
Burimi: Monitor.al