Shtetësia e Janullatosit si tregues i shoqërisë shqiptare

Opinion

Nga Dritan Hila/

Dhënia e shtetësisë shqiptare Anastas Janullatosit, është një akt i cili nuk pati ndonjë jehonë të madhe.

Dikush u mundua ta justifikonte si fundi budallallëkut  tonë dhe të tjerë si vazhdim i klimës së Kretës.
Personalisht e kam të vështirë të kuptoj çfarë e shtyu Presidentin Ilir Meta të ndërmerrte këtë hap.

Nëse kjo ka lidhje me thashethemnajën e përhapur se zoti Anastas Janullatos është i sëmurë, atëhere duheshin bërë gjithë përpjekjet e nevojshme që nëse Greqia nuk tregonte kujdes për shtetasin e saj, nga ana jonë të akordohej një fond qeveritar për kurimin e tij, megjithëse shumë shqiptarë të tjerë kanë nevojë për të tilla shërbime, dhe qytetari Anastas Janullatos nuk ka qenë emigranti shembullor në shtetin shqiptar.
Asnjëherë nuk e dëgjuam këtë shtetas që të ndërhynte në favor të shtetasve shqiptarë me ndonjë deklaratë publike as si humanist apo intelektual që thonë se është, kur këta torturoheshin nga bashkëkombasit e tij (sepse zoti Janullatos ende është shtetas grek, edhe pas kësaj). Nëse do të kishte një përplasje mes Shqipërisë dhe Greqisë, mes shqiptarëve dhe grekëve, ai nuk ka hezituar asnjëherë cilën anë do të mbajë: gjithmonë atë të grekëve apo ortodoksëve që njesoheshin si grekë.
Sa herë ka pasur përplasje në Himarë zoti Janullatos është gjendur në krahë të separatistëve dhe anarkistëve që vetëshpallin përkatësi greke, duke i dhënë pretendimeve greke në sytë e perëndimorëve edhe ngarkesën e persekutimit të të krishterëve nga një shtet me shumicë myslimane.
Ngurimi i pesë presidentëve për të mos i dhënë shtetësinë Janullatosit nuk ka lidhje me budallallëkun shqiptar. Kështu mund ta mendojnë vetëm budallenjtë ose xhambazët. Të ishte i tillë, nuk do të kishim kaq hare në kampin grek.
Zoti Janullatos gjithmonë ka qenë i qartë në qëllimet e tij: Ai ka dashur një kishë shqiptare e cila do të ishte jetime e bindur e njerkës greke. 27 vjet investim i tij si një monark në mesin e një bashkësie të mbyllur si ajo klerikale, ka farkëtuar një trupë e cila do Zoti e nuk vihet në provë se kë do të zgjedhë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Sa më lart, nuk janë paranoja. Zoti Janullatos asnjëherë nuk ka pasur respekt për vendasit pasi asnjëherë nuk mbajti meshë në gjuhën shqipe. Madje edhe falenderimin për dhënien e shtetësisë e bëri në gjuhën greke. Çka tregon se i konsideron shqiptarët dhe shqipen si qenie inferiore, të gradës sub-humane krahasuar me grekët dhe greqishten.
Po atë ditë që zoti Janullatos u bë shtetas shqiptar ishte edhe përvjetori i një tjetër kleriku ortodoks të vrarë për shqiptarinë e tij, për gjuhën shqipe, nga andartët grekë. Asnjë kishë në Përmet nuk u lejua të mbante meshë për At Stathi Melanin. Dhe në një kishë ku hierarkia është më e ashpër se ajo ushtarake, zoti Janullatos me siguri që ka pasur dorë.
Shteti shqiptar (dhe këtu përfshihen të gjithë) me këtë akt tradhëtoi shtetasit e tij. Sepse krahas ithtarëve të Janullatosit, ka pasur edhe shumë të tjerë që nuk u pajtuan asnjëherë me shitjen që Ramiz Alia i bëri autoqefalisë së kishës ortodokse. Ata ishin ithtarëë të Visarion Xhuvanit, Fan Nolit dhe gjithë atyre klerikve dhe shtetarëve që luftuan për autoqefali. Sot ata janë më të tradhëtuar se kurdo herë tjetër.
Nëse ka një analizë e cila e përcakton drejt këtë sjellje është ajo që e cilëson si vazhdim i frymës së Kretës. Por në kuptimin e keq të fjalës. Ne kemi njohur varrezat greke dhe nuk ka një numër që i kufizon sesa do ndërtohen. Ne i dhamë shtetësi një personi i cili nuk denjon as ta flasë gjuhën tonë duke shitur kështu edhe autoqefalinë e ortodoksëve shqiptarë.
Ne nuk e dimë se çfarë do të japim tjetër në të ardhmen. Çfarëdo që të japë Greqia, më pas; heqjen e ligjit të luftës, i cili nuk ka asnjë vlerë; dhënien e miratimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, nuk kanë peshën e lëshimeve që kemi bërë.
Por le mos t’ia lemë fajin vetëm presidencës. E keqja është se këtu kanë kapitulluar bashkë me qeverinë, opozitën dhe presidencën, edhe ndjenja kombëtare e shoqërisë shqiptare./dritare.net