Ethet e Nilit perëndimor ndodhen shumë pranë Shqipërisë. Mushkonjat të cilat përhapin virusin vdekjeprurës qarkullojnë me shumicë në vendin tonë, pasi këtë vit nuk është bërë dezinsektimi i tyre.
Ndërkohë Italia fqinje është alarmuar për shkak të përhapjes së etheve të Nilit, ku deri më tani janë prekur afro 100 persona dhe pothuajse gjysma e tyre janë në gjendje të rënde. Po ashtu 5 persona kanë humbur jetën deri më tani.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit të mushkonjave dhe zogjve shtegtare. Sa më i madh numri i infeksioneve dhe i mushkonjave në mjedis, aq më e madhe është mundësia e kontaktit me sëmundjen. Virusi i etheve të Nilit shkakton dhimbje të muskujve, temperaturë të lartë, encefalit dhe meningjit, ndërsa mund të çojë deri dhe humbje jete.
Ne Shqipëri nuk është identifikuar ende asnjë rast edhe pse në laboratorin e ISHP thonë se janë gatishmëri, askush nuk mban përgjegjësi për dezinsektimin e mushkonjave që nuk është bërë.
Burime të Top Channel në ISHP thonë se procedurat për zhvillimin e tenderit për dezinsektimin e mushkonajve kanë nisur që në muajin shkurt të këtij viti pranë Agjensisë së blerjeve të përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme, me qëllim që në muajin prill të fillonte procesi i dezinsektimit, atëherë kur mushkonjat janë ende larva.
Bëhej fjalë për një fond prej 790 milion lekësh. Por për shkak të ankimimeve të bëra nga operatorët të përfshire, ky tender që prej 7 muajsh nuk është finalizuar.