Ka ardhur koha të shkojmë përpara dhe të punojmë në mënyrë konstruktive me Rusinë, theksoi sot në një mesazh në rrjetin social Twitter presidenti amerikan, Donald Trump duke shtuar se homologu i tij rus, Vladimir Putin kishte hedhur poshtë në mënyrë kategorike ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane 2016.
“E kam pyetur me ngulm presidentin Putin disa herë për ndërhyrjen e tij në zgjedhjet amerikane”, shtoi Donald Trump pas rikthimit nga një turne katërditor në Evropë, gjatë të cilit u takua me presidentin rus, Putin për herë të parë.
“Ai e mohoi kategorikisht ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane”, shtoi Trump.
Gjatë samitit të G20-s, dy krerët i lanë mënjanë mosmarrëveshjet dypalëshe dhe treguan vullnetin për të ecur përpara.
Për sa i përket çështjes së Sirisë, një tjetër temë tensioni mes dy vendeve, Vladimir Putin e gjykoi të mundshëm krijimin e mundësive për marrëveshje me Donald Trump.
“Pozicioni i SHBA-së është bërë më pragmatik”, deklaroi ai, duke përshëndetur marrëveshjen që arriti me homologun e tij amerikan për vendosjen e një armëpushimi në jugperëndim të Sirisë.