U arratis nga burgu Alkatraz, 50 vjet më vonë i dërgoi letër FBI-së

Bota

Të gjithë e dimë se askush nuk është arratisur ndonjëherë nga Burgu Federal i Alkatrazit. 36 të burgosur u përpoqën të arratiseshin, por të gjitha përpjekjet ishin të pasuksesshme.

Megjithatë, një copë letër hodhi dyshime mbi këtë pretendim. Në vitin 1962, 3 të burgosur John dhe Clarence Anglin dhe Frank Morris organizuan një arratisje të guximshme.

FBI kreu një hetim të plotë mbi incidentin dhe përfundimisht arriti në përfundimin se 3 burrat u mbytën në Gjirin e San Franciskos. Megjithatë, nuk kishte asnjë provë për këtë. Sot, 50 vjet pas incidentit, FBI mori një letër të çuditshme nga dikush që pretendonte se ishte John Anglin. Në letër ai shprehet se ai, vëllai i tij dhe një tjetër i burgosur i kanë mbijetuar arratisjes.

Ndonëse letra i është dërguar autoriteteve në vitin 2013, ajo ka dalë në dritë ditët e fundit. “Emri im është John Anglin. Unë u arratisa nga Alkatraz në vitin 1962 me vëllain tim dhe Frank Morris. Tani jam 83 vjeç dhe shëndeti im është në gjendje shumë të keqe. Unë kam kancer. Po, të gjithë ia dolëm të mbijetonim atë natë. Frank vdiq në tetor 2005. Varri i tij është në Aleksandri me një emër tjetër. Vëllai im vdiq në vitin 2011”, thuhet në letër.

“Nëse shpallni në TV se nuk do të shkoj në burg për më shumë se një vit dhe do të kem trajtim mjekësor, do t’ju dërgoj një letër tjetër ku do t’ju tregoj se ku jam. Nuk është qesharake. Është e vërteta absolute.” Sipas Telegrafit, FBI e shqyrtoi letrën për gjurmët e gishtërinjve dhe nëse shkrimi i dorës përputhej me atë të John, por nuk gjeti asgjë.

E vërteta është se do të ishte vërtet mbresëlënëse nëse këta 3 burra do të arrinin të arratiseshin nga Alkatraz i famshëm dhe t’i bashkoheshin shoqërisë si kriminelë të kërkuar.