Uria po e mund pandeminë, por jo qeverinë

209

Arben Rrozhani /

Një ditë më parë shitësit e tregut të Orizit në Vlorë protestuan duke kërkuar pagën e luftës. Sot ishte radha e atyre të tregut industrial të Beratit. Nesër të tjerë priten të dalin në rrugë, sepse rruga u ka mbetur. Mbyllën me detyrim bizneset që me 12 mars. Prej atëherë kanë taksa dhe siguracione të papaguara dhe shumë prej tyre ankohen se nuk përfitojnë nga ‘paga e luftës’, 26 mijë lekëshi që premtoi qeveria.

Protestuan edhe pse ligjërisht, gjendja e fatkeqësisë natyrore, ua ka hequr të drejtën kushtetuese të protestës.Uria është më e fortë se pandemia. Vetëm qeveria nuk po përpiqet ta kuptojë këtë. Ajo ka hallin vetëm të mos japë asgjë nga buxheti i shqiptarëve për pasojat katastrofike ekonomike të izolimit dhe ta lejojë sa më vonë të jetë e mundur të vetmen liri që u ka mbetur shqiptarëve: mbijetesa. Modeli suedez, aq i lavdëruar në mbarë botën, këtu është utopi. Përpjekja suedeze kundër rrymës për të mos shkatërruar shoqërinë e lirë është paguar deri më sot me rreth 1600 viktima nga COVID-19, por ama gjithçka është në normalitet.

Edi Rama tha se nuk duhet të merremi me Suedinë, ku homologu e tij Stefan Loefven, refuzoi izolimin, duke u shprehur: “Të gjithë ne, si individë, duhet të marrim përgjegjësitë dhe të mos presim që qeveria të na kyçë”. Shqiptarët e pranuan kyçjen më ekstreme, por po ndodh ajo që thonë mbrojtësit e modelit suedez se metodat e shtypjes do të vrasin më shumë njerëz se vetë virusi.

Gjashtë javë pas karantinës jemi edhe më të vjedhur dhe ndoshta edhe më pak në numër si popullsi.Qeveria dha me shumicë këshilla-maratonë në televizione dhe rrjete sociale, por shumë pak ndihmë reale sociale dhe ekonomike. Rama refuzoi që të bëheshin krahasime me vende të zhvilluara si Gjermania që dha 500 miliardë euro për mbështetjen sociale dhe ekonomike të vendit, duke parathënë atë që nuk do t’u jepte shqiptarëve të mbetur pa punë dhe pa asnjë mjet mbijetese në izolim total.

Por Shqipëria, është edhe shumë larg Kosovës, shtetit që me një kryeministër në detyrë dhe prej 60 ditësh në pushtet, u ka ofruar qytetarëve dhe bizneseve dy pako emergjence të detajuara dhe me përfitime konkrete.

FMN e renditi Shqipërinë ndër vendet e fundit në botë për mbështetjen sociale dhe ekonomike, duke angazhuar vetëm 1,3% të GDP-së, madje edhe kjo është shumica në letër, sepse nuk është ofruar realisht. Qeveria krenohet se deri sot kemi zyrtarisht vetëm 27 viktima nga COVID-19 dhe dukshëm kryeministri po e përdor rezultatin e (pa)manipuluar të viktimave për PR-in e tij politik, një vit përpara zgjedhjeve të rregullta parlamentare.Jashtë buletineve zyrtare kanë mbetur qindra mijëra shqiptarë që për 6 javë u privuan të marrin mjekimet jetike për sëmundjet kardiovaskulare dhe tumoreve që marrin rreth 23 mijë jetë në vit. Sa prej tyre u shuan në heshtje dhe indiferencë?

Sa njerëz ka vrarë dhe do të vrasë uria?

OKB-ja paralajmëroi dje se nga pasojat shkatërruese ekonomike mund të vdesin më shumë sesa nga vetë sëmundja. Pse duhet të bëjë përjashtim Shqipëria, vendi më i varfër i Europës, ku gjysma e popullsisë jeton me 2 dollarë në ditë? Gjatë këtyre gjashtë javëve askund nuk ndodhi si në këtë vend ku në mungesë të kontrollit shtetëror çmimet e ushqimeve bazë janë rritur, sipas INSTAT-it, me rreth 24 për qind, duke detyruar familjet e ndryra në shtëpi që të harxhonin shumicën e buxheteve për t’u ushqyer, pra për mbijetesë.

Qeveria që përfaqësohet ditë-natë nga një njeri i vetëm ka marrë masa ‘lehtësuese’ që s’të çojnë askund, por vetëm te paratë që do të mbledhë nga taksat dhe tatimet: hotele kur gjithë bota është kyçur në shtëpinë e vet; shoqëri ajrore dhe turistike kur s’ka fluturime dhe as turizëm, biznese me pakicë kur s’ka klientë dhe as aftësi blerëse. Ajo ka synim vetëm të mbledhë paranë, duke i konsideruar ata në punë. Ajo po nxiton të ligjërojë amnistinë fiskale për paratë e padeklaruara nga emigrantët dhe bizneset që të marrë një dorë. Ku do t’i çojë? Jo për t’i rishpërndarë sepse këtë nuk e bëri as në këtë fatkeqësi. Por i duhen për të vijuar pagesat e majme të koncesioneve dhe PPP-ve, tenderat emergjentë ku gjithçka blihet katër herë më shumë se në tregun me pakicë, luksin qeveritar sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Madje edhe pagesat për të paguar lobuesit e huaj, njëlloj si pala tjetër në opozitë, për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit me paratë e shqiptarëve.Pas kësaj pandemie e gjithë bota pret recesion ekonomik.

Por shqiptarët i presin ditë më të vështira. Qeveria nuk iu gjend pranë në asnjë moment. Kush pati pak ‘dhjamë’ e treti në karantinim. Ata do të dalin nga kjo situatë edhe më të vjedhur se më parë. Dhe më të uritur. Do ta mundim pandeminë, por jo qeverinë, që do të vijojë avazin sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Dhe do të thonë: Shpëtuam!

(Arben Rozhani eshte Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’)