VDIQ MOHAMED AL FAYED – SAKTËSISHT 26 VJET NGA AKSIDENTI ME MAKINË I DIANËS DHE DODIT

Bota

Ka ndërruar jetë në moshën 94-vjeçare biznesmeni Mohamed Al Fayed, babai i Dodit i cili u vra në një aksident automobilistik së bashku me Princeshën Diana pikërisht 26 vjet më parë.

Biznesmeni me origjinë egjiptiane, Mohammed Al Fayed njihej më së miri si ish-pronari i dyqanit Harrods dhe klubit të futbollit londinez Fulham. Ai i shiti Harrods te Qatar Holdings në maj 2010. Tre vjet më vonë, ai ia shiti edhe Fulhamin biznesmenit amerikan Shahid Khan.

Djali i Al Fayed, producenti i filmit Dodi Fayed, vdiq më 31 gusht 1997 në një aksident automobilistik me Princeshën Diana në Paris.

Ai luftoi për vite të tëra për të provuar se vdekja e djalit të tij ishte në fakt një atentat nga shërbimet britanike të sigurisë.

Megjithatë, policia franceze doli në përfundimin se ishte një aksident, i shkaktuar pjesërisht nga shpejtësia e tepërt dhe niveli i lartë i alkoolit në gjak i shoferit, Henri Paul.

Sipas Sky News, Al Fafed u varros pas namazit të së Premtes në Xhaminë Qendrore të Londrës në Regent’s Park.