Vetëm një javë larg fundit të këtij sezoni rekordesh e çudirash të Superiores, ende nuk kanë mbaruar surprizat.
Pas shpalljes historike të Kukësit si kampion i Shqipërisë, për nga statistikat, por edhe nga mënyra, në javën e fundit diskutojnë rënien nga kategoria emra të mëdhenj të futbollit tonë, si Vllaznia apo Tirana, edhe pse në lojë mbeten gjithashtu Laçi apo Flamurtari.
Vlonjatët vetëm matematikisht, sepse praktikisht i kanë pikët “e sigurta” përballë Korabit. “Klasikja” dhe ndeshja e parë historike e futbollit tonë, Vllaznia-Tirana, në fundjavën e ardhshme me shumë gjasë do të hedhë njërën prej tyre në Kategorinë e Parë. Bardheblutë nuk janë për herë të parë në duart e të tjerëve për t’i mbajtur në elitën e futbollit, por këtë herë çdo gjë e kanë të merituar. Nga ndryshimi i trajnerëve, bllokimi i merkatos dimërore, te marrëveshja me kampionët e deridjeshëm të Skënderbeut, të cilit i dhuruan pikët e kampionatit për finalen e Kupës.
Ndërsa sot janë skuadra me probabilitetin më të madh për të rënë nga kategoria. Po ashtu edhe Vllaznia, një skuadër që shpesh u ka hapur rrugën disa kundërshtarëve në këtë sezon, duke habitur edhe publikisht herë pas here trajnerin Cungu. Fati i përballi të dyja këto skuadra për të larë mëkatet në këtë 90-minutësh, duke shpresuar te ndonjë mrekulli e Teutës në Laç, pasi një barazim apo fitore e durrsakëve do të zbriste kurbinasit në Kategorinë e Parë.
Statistikat tregojnë se “Djemtë e detit” i kanë fituar të 3 ndeshjet e mëparshme me kurbinasit, por gjërat nuk janë më si më parë. Kjo është një ndeshje e vështirë për t’u fituar apo barazuar, edhe për faktin se Laçi, nën drejtimin e Stavri Nicës në këto javë të fundit, ka një tjetër ritëm, duke e vështirësuar e ashpërsuar edhe më shumë përballjen klasike të futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana.
/ Top Channel /